Xhesina Xhika është një vajzë shqiptare e cila prej katër vitesh jeton në Dubai. 25-vjeçarja ka dy vite e gjysmë që punon si stjuardesë ndërkohë vazhdon trajnimin për pilote dhe pret të licensohet brenda këtyre ditëve.
E ftuar në një lidhje “Skype” me “Wake Up”, Xhesina u shpreh se nuk e kishte menduar se mund të punonte në fushën e aviacionit.
“Por kolegët më kanë propozuar ta bëj dhe unë sigurisht e mora me shumë qejf. Këtu sheh shumë shpesh stjuardesa dhe fillova t’i kisha “zili” për t’u bërë si ato. Punoj në një ditë mbi 15 orë, udhëtimet evropiane dhe këtu qëndron vështirësia, jam mësuar me turbulencat kjo për shkak edhe të temperaturave të larta këtu ndaj vëmendja ime është krejtësisht tek pasagjerët”.
Por si lindi vendimi i saj për t’u bërë pilote? “Ka qenë dita që kam bërë fluturimin e parë si stjuardesë dhe atë ditë na lejuan që të mësojmë më shumë në kabinën e avionit. Fluturimi ka qenë në Lebanon. Aty më la shumë mbresa dhe që nga ai moment më lindi edhe më shumë kjo dëshirë dhe i thashë vetes më punë dhe vullnet do ia dal”, tha 25-vjeçarja.
Xhesina Xhika rrëfeu gjithashtu se frika na shoqëron në çdo moment: “Orët që i bëj me instruktorin janë më të lehta ndërsa në fluturimet që bën vetëm orët e para janë më të frikshme, duke qenë se çdo gjë varet nga ti.
Ulja është ndër momentet më të vështira dhe do shumë vëmendje, pasi ka dhe rrezikun më të madh. Ngritja është një proces më i lehtë nga ana teknike”.
Si e pritën familjarët e mi vendimin për t’u bërë pilote? “Familjarët e mi kanë qenë në dijeni të pasionit tim dhe ata janë mbështetësit më të mëdhenj për mua. Kur i tregova mamit që do filloj trajnimin për pilote më tha: “Nuk ka femra që janë pilote në këtë botë, kjo për shkak të mentalitetit shqiptarë. Ata tashmë më mbështesin në çdo moment”, tregoi ajo.
Në fund, moderatori i njohur Isli Islami e ngacmoi edhe për pagën, sa paguhet një pilote?
Xhesina u shpreh: “Rrogat janë shumë të larta dhe varet nëse je oficer i parë apo kapiten. Në qoftë se je kapiten në shtet që paguhen më mirë mund të kenë një pagë plus – minus, 10 mijë euro”.