Mediumet italiane, ato prestigjioze si Sky Sport, raportojnë se Andrea Pirlo do të zyrtarizohet si trajneri i ri Juventusit, pas shkarkimit të Maurizio Sarrit. Sky Sport Italia raporton se vendimi për emërimin e Andrea Pirlos në postin e trajnerit do të merret qysh sonte ose më së voni të nesërmen në mëngjes – teori kjo që përkrahet edhe nga disa mediume të tjera, si Corriere di Torino dhe Corriera della Sera, transmeton Gazeta Express. Këto mediume të mëdha italiane raportojnë se ish-mesfushori legjendar italian, Pirlo, ishte në takim të shtunën pasdite në zyrat e Juventusit.

Ai nuk ka përvojë si trajner dhe vetëm këtë javë u zyrtarizua si trajner i ekipit U23 të Juventusit, që luan në Serie C – ligën e nivelit të tretë të futbollit në Itali. Megjithatë, ai u prezantua në një konferencë të madhe i shoqëruar nga presidenti Andrea Agnelli dhe drejtori Fabio Paratici, që thanë se ai do të kishte rol të madh në skuadër në të ardhmen. Tani raportohet se Pirlo do të duhet të marrë rol më të madh më shpejt sesa që ishte planifikuar, shkaku i eliminimit të mbrëmshëm të Juventusit nga Liga e Kampionëve.