Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike për periudhën 2019-2022 i mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente. Ndërsa qytetarëve u mundëson të thonë fjalën e tyre për planifikimin dhe shpenzimin e parave publike. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shprehet se, “kjo strategji e miratuar nga Qeveria shqiptare, përbën një sukses të arritur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me mbështetjen e partnerëve dhe ekspertëve të Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”.
Sipas saj, qëllimi kryesor i Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike 2019-2002 është të kemi një buxhet të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm, me raport të ulur të borxhit publik, si dhe buxhet që të jetë tërësisht në përputhje me politikat e qeverisë. Denaj vlerëson se kjo strategji synon të garantojë një sistem financiar publik që përmirëson ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe qëndron në themel të një reforme, po aq të rëndësishme për Shqipërinë, sa ajo në fushën e drejtësisë.
Ndërsa shton se, strategjia gjithashtu synon të rrisë përgjegjshmërinë, transparencën, eficiencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike. “Kjo strategji mundëson buxhetimin gjinor, si një përpjekje konkrete per të rritur barazinë mes burrave dhe grave”- thekson ministrja Denaj.