Bukuria turistike e Çajupit i ka dhënë një nxitje të madhe turizmit malor dhe etno-kulturor dhe çdo ditë e më shumë po kthehet në një atraksion turistik.
Mali i Çajupit, rreth 1200 metra mbi nivelin e detit dhe 25 km larg Gjirokastrës, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik në të gjitha stinët e vitit e veçanërisht gjatë verës.
Natyra e egër, ajri i pastër, mjedisi i këndshëm ofron mundësi për të kaluar momente relaksi sidomos për ata që duan të largohen nga jeta e zhurmshme urbane, larg stresit dhe rutinës së përditshme. Por, mali i Çajupit mbetet edhe një ftesë e hapur për të apasionuarit pas turizmit malor.
Qafa e Çajupit është një belvedere ku mund të shohësh dy pamje mahnitëse, në njërën anë nga lindja, Fusha e Çajupit dhe nga perëndimi, Lugina e Drinos me hiret e saj. Të apasionuarit pas natyrës dhe aventurës mund të zbulojnë një destinacion për hiking dhe hipizëm.
Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë, shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit turistik, të cilët edhe këtë verë kanë vendosur të kalojnë pushimet më pranë natyrës dhe jetës së shëndetshme, si një rrugëtim jetësor mes të thjeshtës dhe madhështores si natyra, larg luksit e më pranë njeriut.
Fotografi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Florian Abazaj sjell një galeri me foto nga zona e Çajupit.