Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bëri apel qytetarëve sot të aplikojnë për t’u rimbursuar për gjobat që kanë marrë për shkak të shkeljes së afatit të qëndrimit në vendet e tjera në situatën e krijuar prej COVID-19. Tatimet po ashtu kanë publikuar edhe formularin të cilin duhet të plotësojnë qytetarët. ”Rikujtojmë publikun e gjerë dhe individët e interesuar, se me vendim të Këshillit të Ministrave datë 15.6.2020, është miratuar rimbursimi i gjobave të vendosura nga autoritete të shteteve të huaja për shtetasit shqiptarë, të cilët për shkak të mbylljes së kufijve, kanë tejkaluar afatin e qëndrimit në këto shtete, gjatë periudhës 10 mars – 1 qershor 2020”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Administrata Tatimore informoi se çdo individ, shtetas shqiptar, që është gjobitur në shtetet e huaja, për arsyen e mësipërme, duhet të disponojë mandatin e arkëtimit që vërteton kryerjen e pagesës së gjobës, të përkthyer dhe noterizuar, formularin e vendosjes së gjobës nga policia kufitare dhe vetëdeklarim për pëlqimin e individit për verifikimin e hyrje-daljeve të tij kufitare nga sistemi TIMS, sipas formatit të përcaktuar (sipas formatit bashkëlidhur njoftimit). Po ashtu duhet të paraqesë fotokopje të dokumentit të identifikimit të individit (pasaportë, kartë identiteti), të dhënat individuale të llogarisë bankare në Lekë (emër banke dhe IBAN), si dhe numër kontakti personal ose adresë email.

Tatimet po ashtu kanë publikuar edhe formularin të cilin duhet të plotësojnë qytetarët. Dokumentet e mësipërme duhet të dorëzohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet shërbimit postar (apo në kutinë postare në DPT). Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë individët e interesuar që, për të siguruar një rimbursim të shpejtë dhe brenda afatit, si dhe për të shmangur vonesat në këtë proces, të dorëzojnë dokumentacion.