Infeksionet e koronavirusit janë rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit në Europë duke bërë ekspertët të mendojnë se kemi të bëjmë me një valë të dytë të pandemisë Covid-19. Megjithatë edhe pse janë shtuar rastet e reja, Bloomberg thotë se ato janë më pak vdekjeprurëse. “Rritja e testimeve po kap sëmundjen herët dhe ndryshe nga piku në Mars dhe Prill, kur pandemia hyri në shtëpitë e përkujdesjeve, autoritetet po bëjnë një punë më të mirë për të mbrojtu, të moshuarit dhe njerëzit e tjerë vulnerabël”, shkruan Bloomberg.
Franca dhe Spanja kanë regjistruar numrin më të lartë të infeksioneve që prej Prillit. Italia raportoi rritjen më të madhe që prej Majit, ndërsa rastet në Gjermani janë dyfishuar gjatë javëve të fundit. Megjithatë pavarësisht përhapjes së madhe në kontinentin e vjetër, vdekshmëria nuk është si në të njëjtën periudhë më parë, por më e ulët.
“Ose të paktën për tani”, shtojnë shkencëtarët. “Aksesi i përmirësuar tek testimet ka shumë mundësi të jetë arsyeja kryesore, veçanërisht sepse njerëzit bëhen më të vetëdijshëm për simptomat”, tha John Ford nga Universiteti i Caambridge. Shumica e infeksioneve është tek të rinjtë që kanë udhëtuar apo festuar gjatë verës. Por disa prej tyre janë asimptomatikë. Ford shtoi se trajtimi më i mirë i sëmundjes dhe protokolli mjekësor i përmirësuar lidhet me uljen e vdekshmërisë. Rritja e infektimeve në Europë është vënë re pas rihapjes në mesin e Qershorit.