Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim penal për çështjen nëse ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Donald Trump, John Bolton, ka keqpërdorur informacionet sekrete me botimin e librit të tij për kohën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi të martën gazeta Wall Street Journal.
Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentojë, po ashtu edhe shtëpia botuese, Simon & Schuster.

Charles Cooper, avokat i zotit Bolton, tha në një email për agjencinë e lajmeve Reuters: “Ne jemi në dijeni të njoftimeve se janë lëshuar kërkesa nga një juri e madhe, e cila kërkon informacion në lidhje me botimin e librit të fundit të ambasadorit Bolton.”

“Ambasadori Bolton hedh poshtë prerazi çdo pretendim se ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme, aq më pak kriminale, lidhur me botimin e librit të tij, dhe ai do të bashkëpunojë plotësisht, siç ka bërë vazhdimisht me çdo hetim zyrtar mbi sjelljen e tij”, shton zoti Cooper.

Sipas gazetës, prokurorët federalë i dërguan të hënën kërkesat e jurisë së madhe në adresë të përfaqësuesit letrar të zotit Bolton, Javelin, si dhe të shtëpisë Simon & Schuster, botuese e librit “Dhoma ku ndodhi: Kujtime nga Shtëpia e Bardhë”.

Sipas gazetës, që citon burime pa emër, juria e madhe kërkon të gjitha komunikimet me zotin Bolton. Gazeta shton ndërkaq se vetë zoti Bolton nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga juria e madhe.

Administrata e Presidentit Trump më parë kishte kërkuar një urdhër gjykate për të mos e lejuar botimin e librit, i cili është jashtëzakonisht kritik ndaj Presidentit Trump.

Argumenti i Departamentit të Drejtësisë ishte se libri përmbante informacione sekrete që mund të kërcënonin sigurinë kombëtare.