Eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit po shkon drejt katërfishimit, krahasuar me vitin 2013. Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna e flotës së peshkimit Rozafa në detin Adriatik. Ai e ka cilësuar si impresionuese rritjen e sektorit të peshkimit në Shqipëri, dhe sipas tij, kjo falë politikave mbështetëse të qeverisë. Eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit po shkon drejt katërfishimit, krahasuar me vitin 2013. Vetëm gjatë vitit 2019 vlera e eksporteve shqiptare të peshkut arriti në 100 milionë euro. Rritje e mëtejshme me 24.5% është shënuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bëri të ditur Kryeministri.

Rama informoi se prej 6 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, ndërsa rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja. Me programin e mbështetjes nga aplikimet në Bashkimin Europian do të vëmë në dispozicion të këtij sektori një fond prej 1.5 milionë eurosh për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit, u shpreh Kryeministri.

Nga një vend ku peshkimi ishte në kushte primitive dhe peshkatarët në det të hapur, pa asnjë mbështetje nga shteti, tha Rama më tej, sot kemi një industri peshkimi me një perspektivë të shkëlqyer rritjeje. Ndërsa ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, i cili ndoqi nga afër punën e flotës së peshkimit Rozafa, në detin Adriatik gjatë një nate, siguroi për vijimin e mbështetjes së këtij sektori nga ana e qeverisë.

Politikat tona në këto 6 vite e kanë çuar në një stad të avancuar sektorin e peshkimit. Eksporti i peshkut është rritur me 3.25 herë, tha ministri.Për të lehtësuar këtë sektor kemi hequr akcizën, taksën e qarkullimit dhe taksën e mjedisit për naftën në peshkim.Falë këtyre politikave sot kemi arritur që ky sektor ta marrë naftën me çmim burse. Sot nafta ishte 400 lekë/litri, kur në 2013-ën ka qenë 1 700 lekë/litri.Ministri informoi se po ashtu qeveria ka vendosur bërjen zero të TVSH-së për pajisjet e peshkimit.