Zëdhënësi i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se sa për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe po ashtu zhvendosja e ambasadës së Serbisë në këtë qytet, këto janë angazhime bilaterale të palëve.
Por ai ka thënë se BE-ja ka qëndrim të qartë sa i përket Jerusalemit dhe se në këtë qytet nuk ka ambasadë asnjë shtet i BE-së e nuk ka as delegacion të BE-së atje.
“Sa për ambasadat është angazhim bilateral i tyre. Këto pyetje duhet t’u bëhen atyre. Unë vetëm mund të them se pozicioni i BE-së për lëvizjet e ambasadave në Jerusalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Nuk ka shtet të BE-së me ambasadë në Jerusalem. Nuk ka delegacion të BE-së në Jerusalem. Është në vijë me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara. BE e ka përsëritur përkushtimin për zgjidhjen për dy shtete. Duhet gjetur rrugë nëpërmjet dialogut për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqendër e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. Pasi Kosova dhe Serbia e kanë prioritet integrimin në BE, BE pret që të dyja të veprojnë në vijë me këtë përkushtim”, ka thënë Stano në konferencë për media.
Në takimin në Washington, si pjesë e marrëveshjes Kosovës iu premtua njohja nga Izraeli me kusht që ambasadën ta hapë në Jerusalem. Serbia u zotua që vitin tjetër ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.