Rreth 21 mijë banorë të Kamzës do të kenë 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi brenda vitit 2021 pas përfundimit të fazës së dytë të ndërtimit të infrastrukturës së ujësjellësit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga gjendja se si ishte ky ujësjellës dhe nga puna që po bëhet aktualisht në këtë ujësjellës.
“Me një rrjet ekzistues të 50 viteve më parë, i ndërtuar për një popullatë shumë më të pakët se sa e sotmja në atë zonë, rrjeti ekzistues nuk ka ofruar dot shërbimin më minimal të furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërtimi i një infrastrukture moderne ujësjellësi, me parametra optimalë dhe sistem që do të monitorohet nga teknologjia e lartë SCADA, do t’i japë fund etjes 30-vjeçare të Kamzës”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama shprehet se “Kamza është zona që ka shënuar zhvillimet më të vrullshme demografike dhe urbanistike në Shqipëri në këto 30 vite; në 1992 numëronte veç 12 000 banorë dhe sot rreth 94 000 banorë. Faza 3 e këtij investimi nis në 2021 dhe përmbyll 100% infrastrukturën e ujësjellësit për 94 000 banorët e Kamzës”.
Më parë 25% e zonës që preket nga investimi ishte pa rrjet ujësjellësi dhe furnizimi në zonën e investimit ishte 2-4 orë ujë në ditë. 98% e konsumatorëve në zonën e investimit ishin pa ujëmatësa.
Aktualisht janë realizuar 17% e punimeve, janë 1.8 km linjë e re dërgimi, 54. 2 km rrjet i brendshëm. Po kryhet rehabilitimi i burimit të vjetër të Bovillës dhe puseve në Valias.
Po kryhet rehabilitimi i 4 zonave të matjes, 5 888 ujëmatësa të rinj, si dhe do të ketë instalim sistem Scada. Në 2021 do të vijojë faza e tretë dhe përmbyllëse.