Në kantierin e ndërtimit të zonës së re për zhvillim në Kurbin puna për ndërtimin e kompleksit modern të banimi me 524 apartamente, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë të standardeve europiane po vijon me ritme të larta.

Deri më tani janë kryer thuajse 90% e gërmimeve në të gjithë sipërfaqen prej 40 mijë m2.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen nga kompania turke “Allbajrak” në këtë zonë.

Rama kërkoi nga kompania jo vetëm një ritëm të lartë të punimeve për të bërë të mundur akomodimin sa më shpejt të banorëve të cilëve iu është dëmtuar shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas, por edhe një cilësi të lartë punimesh.

“E rëndësishme është që të ndërtojmë shpejt, por edhe mirë dhe me cilësi“, i kërkoi Kryeministri përfaqësuesit të kompanisë.

Më tej, ai tha se për ecurinë e punimeve kishte biseduar edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së zhvilluar pak ditë më parë në Turqi.

“Me presidentin Erdogan gjatë takimit që zhvillova pak ditë më parë folëm edhe për këtë projekt. Interesohet herë pas here si po ecën puna dhe është shumë i kënaqur që puna ka filluar intensivisht”, u shpreh Rama.

Rama informoi se brenda këtij kompleksi banimi, me fondet e buxhetit të shtetit do të ndërtohet edhe shkolla.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Shqalsi Cara informoi se në muajin mars parashikohet përfundimi i zonës 1 të banimit brenda projektit që parashikon ndërtimin e 5 pallateve dhe në 3-4 muajt e tjerë edhe zona 2 që parashikon ndërtimin e 8 pallateve të tjera, të cilat do t’i japin jo vetëm zgjidhje optimale hallit të familjeve që humbën shtëpinë e vjetër, por edhe një shëmbëlltyrë të re Laçit që duam, me një sens të ri zhvillimi urban, ekonomik e social.

Ndërsa, ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj deklaroi se në dy zonat e zhvillimit do të ndërtohen 524 apartamente, 400 parkime si dhe do të ketë edhe një qendër tregtare.