Udhëheqësit e tre grupeve kryesore të opozitës që fituan shumicën në zgjedhjet e 30 gushtit në Mal të Zi, nënshkruan sot një marrëveshje koalicioni, duke premtuar se qeveria e re do të respektojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, do të forcojë dhe çojë përpara bashkëpunimin me NATO-n, dhe do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim me të drejta të plota të Malit të Zi në BE. Përfaqësuesit e koalicionit Për të ardhmen e Malit të Zi, Paqja është kombi ynë”, dhe E bardha mbi të zezën, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, në një konferencë për shtyp thanë se do ta ndryshonin orientimin e vendit nga ai pro-perëndimor, drejt Serbisë dhe Rusisë.
Sipas pikave të marrëveshjes nënshkruar nga qeveria e re, ajo nuk do të ndërmarrë asnjë nismë për ndryshimin e flamurit shtetëror, stemës dhe të himnit, si edhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Udhëheqësit e partive të koalicionit thanë gjithashtu se përparësi e qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit, që ka qenë një nga problemet kryesore për qeveritë e kaluara, raporton VOA.