Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur të dërguarit special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke i thënë se njohja nga Serbia është njohje e një realiteti të cilin SHBA-ja ishte e para që e bëri.
“Të quash shtetësinë tonë, që është projekt i përbashkët i popullit të Kosovës me të SHBA-së ‘simbolikë’, minimizon investimet amerikane në Kosovë. Dhe jo, ne nuk kemi luftuar me Serbinë për ‘fjalët, mbiemrat e simbolikat’, por kemi luftuar për lirinë, kemi luftuar kundër gjenocidit. Delegacioni i Kosovës nuk ishte transparent. Ata kanë thënë se do të marrin njohje reciproke. Duhet të marrin përgjegjësi për zotimet e tyre publike. Pajtohem. Simbolika s’krijon vende pune. Por këtë s’mund ta bëjnë as politikanë të korruptuar në Kosovë që kanë udhëhequr me shtetin e kanë shkatërruar ekonominë tonë në 20 vjetët e fundit”, shkroi ajo në Twitter.
Ndërkohë Grenell është përgjigjur se ata që ankohen nuk kanë ngritur asnjë shqetësim të vetëm e as nuk kanë dhënë asnjë ide të vetme.
“Marrëveshja ishte për njohje ekonomike. Është hap i madh. Për ju që tani të ankoheni se s’keni marrë më shumë është e çuditshme pasi s’keni ngritur asnjë shqetësim të vetëm e as nuk keni dhënë asnjë ide të vetme. Na duhen politikanë që bëjnë më shumë se që vetëm të ankohen. Kjo është për punët, jo vetëm simbolikë. S’mund të paguani as qiratë e as të ushqeni familjet tuaja me simbolikë. Studimi i fizibilitetit për liqenin është që të dihet saktësisht se si mund të përdoret e çfarë vende pune mund të krijohen. Të sugjerosh se kjo hap çështje të tjera është politikë e pakuptimtë. Ky studim është për të krijuar vende pune”.
Vjosa Osmani gjatë ditës ka shkruar në Twitter se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë siç janë njohja e ndërsjellë me Serbinë, mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani), mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi).
“Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë). Rezultate konkrete për të pagjeturit. Dëmshpërblim për reparacionet e luftës. Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë dhe eliminim të plotë të barrierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës”, u shpreh Osmani.