Mjeku Pëllumb Pipero ka qenë sot i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ku ka folur për pandeminë e COVID-19. Pipero është pyetur se sa mund të zgjasë pandemia, dhe ka thënë se me virusin mund të bashkëjetojmë deri në vitin 2023.
“Është e vështirë që të bëjmë parashikime, por dhe një vit e gjysmë besoj. Kjo pandemi do na shoqërojë së paku 1 vit e gjysmë, por dhe më shumë. Me virusin mund të bashkëjetojmë dhe deri në vitin 2023. Kjo varet dhe nga virusi, pasi mund të pësojë mutacion”, tha mjeku. Më tej Pipero ka folur dhe për vaksinën, duke u shprehur se nuk mund të bëhet me forcë por qytetarët të jenë të lirë të zgjedhin nëse duan ta marrin apo jo.
“Jam kundër përdorimit të forcës për bërjen e vaksinës. Vaksina duhet të bëhet vullnetarisht dhe jo me ligj. Por janë disa shtresa të shoqërisë që kanë më shumë rrezik, rekomandohet që të bëjnë vaksinën, por sërish jo forcërisht”, shtoi mjeku i njohur. /tvklan.al