Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot Prof. Mahir Domi në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke e cilësuar si një nga autorët me bibliografinë më mbresëlënëse në fushën e shqipes, Mahir Domi dhe një nga kolosët e albanologjisë shqiptare, ndër personalitetet e shkencës që na përligjin krenarinë përpara kujtdo.
Në rubrikën “Homazh”, Kryeministri Rama theksoi se “Prof.Mahir Domi pas një jete të gjatë e të frytshme, mbylli sytë më 19 shtator 2000. I lindur në Elbasanin e Normales e në një mjedis atdhedashës e përparimtar, i formuar në Liceun e Korçës dhe në Grenoble të Francës për linguistikë e gjuhë të vjetra, ky zotëri që gjeti kohën mes librave të merrte pushkën kundër pushtuesit në formacionet nacional-çlirimtare, ishte për dekada, së bashku me Çabejin e Shaban Demirajn, pjesë e triadës fantastike, që gjuhësinë shqipe e ktheu në gurin më të shkëlqyeshëm të gjerdanit të studimeve albanologjike”.
“Dhjetëra e dhjetëra artikuj, monografi, në shqip e në gjuhë të huaja, me një parapëlqim për gramatikën por me një kontribut gjithaq thelbësor në leksikologji dhe përgjithësisht në filologji, mbeten dëshmi e ekselencës shqiptare që mishëroi Mahir Domi në botën shkencore ndërkombëtare e cila, nëpërmjet pjesëmarrjes në konferencat dhe simpoziumet e shumta, i vlerësoi seriozitetin, mprehtësinë e intuitës kërkimore dhe forcën e rezultateve të një pune shkencore që frymëzon admirim”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “një meritë e madhe e Mahir Domit është të qenurit farëhedhësi i pedagogjisë. Përpos gjuhëtarëve të shumtë e të aftë që u formuan nën udhëheqjen e tij shkencore, ai lëvroi vetë shqipen me një aftësi komunikuese dhe informuese plot talent, duke i bërë të aksesueshme e të kuptueshme teknikalitetet dhe sofistikimet shkencore”.
“Aq e vërtetë është kjo, sa kushdo dëshiron të thellohet në çështje të gjuhësisë edhe pa qenë i formuar, do të gjejë në veprën e Prof. Domit, udhërrëfyesin e thjeshtë e praktik për t’u familjarizuar me kodin gjenetik e mijëra misteret e gjuhës sonë të mrekullueshme”, – tha Rama.