Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur riparimin e aksit rrugor Qafë Mali-Fierzë, ku në kuadër të punimeve të mirëmbajtjes rutinë është bërë riparimi i shtresave të dëmtuara asfaltike, duke lehtësuar lëvizjen e mjeteve dhe duke rritur sigurinë rrugore.

Sipas ARRSH-së, segmenti rrugor Qafë Mali–Fierzë, rreth 57 km i gjatë dhe me një gjerësi kaluese 4.5 m, përveç ndërlidhjes së zonave që shtrihen përgjatë tij, po shfrytëzohet edhe për turizëm për shkak të peizazhit natyror që ofron. Ky segment ka një karakter të theksuar malor, me kthesa të shumta dhe të forta. Pozicioni gjeografik në të cilin kalon ky segment si dhe lartësia mbi nivelin e detit, që shkon në mbi 1000 m, bën që dimri të jetë i ashpër me ngrica dhe me reshje të shumta bore.