Mbi 250 mijë nxënës janë përfitues nga skema mbështetëse e librave falas, e cila ka nisur të aplikohet nëpër shkolla. Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, ka publikuar këtë të diel një video mbi nisjen e shpërndarjes së librave falas në të gjithë vendin në prag të nisjes së vitit të ri shkollor për nxënësit e klasave 1-7 dhe për të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasën e 12-të.

“Nga skema mbështetëse e librave falas; 250 mijë nxënës përfitues; lehtësim i barrës financiare për familjet shqiptare”, shkruan Shahini. Skema mbështetëse e librave falas nga buxheti i shtetit prej 800 milionë lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.