Vijon me ritme të shpejta puna për ri-ndërtimin shkollës 9-vjeçare Ahmetaq, pjesë e Bashkisë së Vorës, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shkolla Ahmetaq e cila i vjen në ndihmë një komuniteti prej rreth 7 000 personash dhe 220 vogëlushësh pritet të çeli dyert në dhjetor 2020, ndërsa banorët shprehen tejet të kënaqur me ritmin e punës dhe theksojnë se për komunitetin është një lajm mjaft i mirë, pasi fëmijët janë duke ndjekur mësimin me turne në një institucion tjetër arsimor. Është gjëja më e mirë që po bëhet deri më tani. Projekti duket shumë ambicioz. Është me parametrat e kohës. Kam mendimin që do jetë shembull për të gjithë Republikën e Shqipërisë. Stafi dhe eksperienca ka qenë shumë pozitive. Mendoj se jo vetëm fshati Ahmetaq, por edhe baorë të Prezës, Budullit, si dhe Rinasi do vijnë të frekuentojnë këtë shkolle, shprehet një qytetar. Për fëmijët është një lajm i rëndësishëm, pasi sot shkojnë me turne në shkollë. Këtu vjen autobusi dhe pret fëmijët dhe i sjell sërish këtu në fshatin tonë. Ndërsa kur të kemi shkollën këtu, nis mësimi në orën tetë të mëngjesit e do mbaroj në dy dhe jemi më të qetë. Rrezik edhe para nëntorit e mbarojnë, shprehet një tjetër banor i kësaj zone. Është një lajm shumë i mirë. Ishalla e rregullojnë dhe e bëjnë shpejt që fëmijët të nisin shkollën këtu. Po bëjnë një shkollë shumë të mirë,- tha një zonjë.
Lorenc Bane, Inxhinieri i kompanisë ndërtuese, u shpreh se ndërtimi i shkollës Ahmetaq, po realizohet sipas standardeve të Euro-kodeve. Ndërtimi është në fazën e karabinasë, muraturës dhe sistemimeve të ndryshme. Në këtë shkollë kemi sistemet e hidro-izolimit, termo-izolimit dhe ato kundra zjarrit, që i japin fëmijëve më shumë siguri gjatë frekuentimit. Në këtë shkollë ka disa ambiente sportive, laboratorë. Ndërtimet janë me materiale cilësore, sipas euro-kodeve, duke rritur sigurinë për nxënësit dhe jo vetëm, pasi shkolla do të jetë e hapur dhe për aktivitete të tjera social kulturore për komunitetin,- tha Bane.