Nga Dardan Malaj
Së pari , pikënisja thjesht populiste sipas të cilës listat e hapura të kandidatëve për deputetë do të jenë ilaçi që do të shërojë sëmundjet e demokracisë shqiptare. Bazuar mbi këtë përceptim, sa më e hapur dhe e pa strukturueshme të jetë lista aq më e kulluar do të jetë demokracia. Listat e hapura nuk janë ilaçi që shëron demokracinë. Natyrisht, ato janë një hap i rëndësishëm përpara në kuptimin e ushtrimit të demokracisë direkte në zgjedhje. Gjithësesi, listat e hapura duhen parë me pluset dhe minuset e tyre. Si çdo gjë tjetër ato kanë efektet pozitive dhe negative. Përpjekja për ta parë vetëm bardh e zi është mjaftueshëm e dëmshme për debatin publik. Padiskutim, listat e hapura janë më të mira se sa listat e mbyllura. Pyetja është a janë listat e hapura pa asnjë mekanizëm pragu më të mirat e mundshme? Këtë nuk e themi dot, të paktën për aq kohë sa nuk ka një test elektoral ku të provohet sjellja e zgjedhësve në kushtet e reja. Rrjedhimisht, zgjidhja e mesme e kalimit nga lista të mbyllura në lista të hapura me mekanizëm pragu në shpërndarjen e mandateve përfaqëson alternativën që merr në konsideratë si efektet pozitive ashtu edhe negative duke ju përshtatur më mirë stadit të zhvillimit ku ndodhet Shqipëria. Ngjan bukur por nuk mjafton të jesh thjesht populist. Është domosdoshmëri të jesh dhe realist. Përndryshe, kostoja që krijon populizmi është fatura reale që paguajmë te gjithë kur vjen momenti për tu përballur me realitetin.
Së dyti , pretendimi se hapja e listave me mekanizëm pragu në llogaritjen e votave preferenciale i shton pushtetin politik kryetarit të partisë. Është naive të mendosh se në këtë variant kryetari paska pushtet të pakontrolluar ndërsa kur lista është e hapur dhe ri-rënditja bëhet pa prag, kryetari qenka i dobët! Sido që të bëhet hapja e listave dhe sidoqë të bëhet rreshtimi i emrave, skuadra që hidhet në fushë do të përcaktohet nga partia. Në çdo rast zgjedhësi do të jetë i detyruar të shprehet vetëm mbi zgjedhjet e bëra nga partia për aq kohë sa nuk preferon një kandidat të pavarur ose listë qytetare. A ka raste që partitë bëjnë zgjedhje të gabuara në lista? Natyrisht, ka patur, ka dhe mund të ketë të tilla. A ka raste që kandidatët zgjidhen vetëm nga vullneti/dëshira e kryetarëve? Natyrisht, ka patur dhe mund të ketë të tilla raste. Zgjidhjen e kësaj plage nuk mund t’ia kërkosh Kodit Zgjedhor. Zgjidhja vjen nga demokratizimi i partive politike, nga rritja e llogaridhënies së brendshme dhe kalimi drejt garave paraprake në anëtarësinë e partisë, e cila duhet të jetë reale dhe e kontrollueshme, jo fiktive. Këtu duhet të ushtrohet dhe presioni i nevojshëm publik.
Së treti , pranimi se zgjedhësit kanë si qëllim primar përmbysjen e listës së partisë. Kjo nuk ka si të jetë e vërtetë. Subjektet politike nuk janë formacione të ngurta, përkundrazi janë të shpërndara kudo në territor dhe japin e marrin sinjale politike me zgjedhësit. Duke qenë se partia ka si synim fitoren e zgjedhjeve është në interesin e saj të rreshtojë në listën fituese kandidatët që janë më popullorë, që kanë mbështetje e që sjellin vota. Thënë këtë, gjasat më të mëdha janë që votat preferenciale në fakt ti përkojnë edhe mënyrës së rreshtimit që ka bërë partia paraprakisht. A mund të ketë ndonjë rast apo ndonjë emër i cili mund të “parashutohet” në listën fituese pa ju nënshtruar parimit të popullaritetit? Natyrisht, ka patur raste të tilla. Në kushtet e listave të hapura gjasat janë që këto raste të minimizohen në maksimum. Kostoja që merr përsipër kryetari në këtë lloj “parashutimi” është e lartë dhe e ekspozueshme në fazën e tabulimit të rezultateve të votave preferenciale. Gjithësesi, mekanizmi i votës preferenciale me ri-rënditje mbi prag e mundëson që zgjedhësi ta ndëshkojnë partinë/kryetarin për këtë zgjedhje duke ja ri-rënditur si humbës kandidatin në fjalë. Edhe në rastin kur ai kandidat shpëton dhe e merr mandatin është ekspozuar publikisht mbështetja e ulët e tij/saj. Kredencialet publike të këtij/kësaj deputeti/eje janë minimale; presioni publik për të mos e promovuar në nivele qeverisjeje apo në listat e ardhshme do të jetë i padiskutueshëm si brenda partisë si në raport me publikun.
Së katërti , marrja si e mirëqenë se pjesa e dytë e listës do të ketë një numër më të madh votash se sa pjesa e parë. Nuk kanë munguar edhe rastet ilustruese që e paraqesin pjesën e parë të listës me 0 vota. Rasti kur një kandidat i rreshtuar nga partia në pjesën e dytë të listës merr vota më shumë se sa një kandidat i vendosur në pjesën e parë por nuk kalon dot pragun duke humbur mandatin është po aq i mundshëm teorikisht dhe hipotetikisht sa rasti që kandidati i rreshtuar i pari nga partia të humbasë mandatin në favor të kandidatit të fundit në listë që tejkalon pragun e votave. Atëherë pse u dashka besuar njëri skenar dhe nuk u dashka besuar tjetri?! Në kushtet kur “eksperimenti” i listave të hapura kryhet për herë të parë dhe askush nuk është në gjendje të parashikojë me saktësi sjelljen e zgjedhësve, vet ekzistenca e disa shembujve të kundërt teorik/hipotetik provon se listat janë të hapura dhe gjithçka varet nga vota preferenciale e qytetarëve. Se çfarë përfaqëson pjesa e dytë e listave publiku pati rastin ta shohë falë aktit të djegies së mandateve nga PD-LSI. Pasi kemi parë se çfarë kishte në parlament PD-LSI në vjeshtën e vitit 2017 dhe çfarë ka sot me marrjen e mandateve nga pjesa e dytë e listave respektive, çdokush duhet ti bëjë vetes një pyetje: A mund të pranohet se Kujtim Gjuzi do merrte në Durrës më shumë vota se Oerd Bylykbashi apo në Tiranë Majlinda Halilaj të votohej më shumë se Jorida Tabaku?! Pjesa e dytë e listës nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si “armiqt” e partisë, ata janë thjesht personazhe të zgjedhura nga po e njëjta parti por që besohet se kanë më pak popullaritet dhe sjellin më pak vota tek koshi i përbashkët. “Armiqt” e partisë nuk shkojnë tek pjesa e dytë e listës por mbeten krejtësisht jashtë listës sido që të bëhet votimi apo ri-rënditja, me prag apo pa prag. Nëse shqetësimi publik është shpëtimi i “armiqve” të partisë apo të kryetarit sërish zgjidhja nuk vjen nga Kodi Zgjedhor por nga demokratizimi i brendshëm i partive politike.