Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një video të postuar tregon se sa në vështirësi ndodhet biznesi i vogël në vendin tonë. Kryedemokrati në postimin e tij në rrjetin social Facebook, shkruan se tashmë është koha për reflektim, pasi sipas tij njerëzit në këtë situatë kanë nevojë për mbështetje.
Ndër të tjera ai shkruan se plani i tyre do të ndihmojë çdo shqiptar në vështirësi. Në videon e publikuar nga Basha, një nga drejtueset e biznesit të vogël Rabjana Shima, thekson se ndodhen në vështirësi dhe se nga momenti në moment mendon që ti vendosë kyçin biznesit.
“Unë biznesin tim e kam hapur në vitin 2007. Në 2013-ën, filluan taksat të ndryshojnë. Taksat u rritën jashtë mase shumë saqë po bëhet e papërballueshme. Taksat lokale, taksë pastrimi unë paguaj 690 mijë në vit. Taksë arsimi paguaj 170 mijë në vit, dhe taksë e hapësirës publike 100 mijë lekë në vit. Kam kaluar, kam 4 vite që jam biznes i madh me TVSH.
Me këtë dyqan të vogël që është 25 metra katror, më kanë kaluar me xhiro mbi 95 milion në vit dhe kam paguar mbi 10 muaj tatim fitimin 170 mijë lekë në muaj. Puna është duke rënë dita-ditës. Unë punoj burrë e grua nga mëngjesi deri në darkë. 30 ditë në muaj në jemi në punë, nuk kemi ditë pushimi, nuk kemi ditë feste.
Nuk kam ditë kur unë sëmurem të rri në shtrat, nuk më paguan njeri. Ne jemi drejt falimentimit. Për pak unë do t’i vendos kyçin dhe nuk e di së ku do të shkoj”, është shprehur qytetarja. Tema/