Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shpërthyer në akuzat ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin një vit parë bashkëpunonin për të fituar zgjedhjet dhe ajo ishte mandatuar për postin e kryeministres.
Ajo thotë se mund të ketë bërë gabime, por gabimi më i madh sipas saj, është që i ka besuar Mustafës.
Reagimi i plotë:
Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku.
I kam besuar, siç i beson dikush prindit të vet, si në vitin 2014, poashtu më 2019, kur më premtonte çdo ditë se nuk do ta braktisë rrugën që e nisëm bashkë dhe ata të cilët vet Mustafa i cilësonte “banda mafioze”, do t’i largojmë nga udhëheqja e shtetit.
Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua.
Unë mund të kem bërë gabime në rrugën time politike, por asnjëherë me qëllimin që ta shkelë interesin qytetarë. Megjithatë, gabimi më i madh në jetën time është që i besova Isa Mustafës. Madje këtë gabim e bëra për herë të dytë, me shpresën se ai nuk do të kthehej përsëri tek idhujt e tij politik në PDK & Co.
Ai, jo vetëm që e keqpërdori këtë besim por tani vazhdon me sulme banale e të pavërteta kundër meje pikërisht për ta arsyetuar koalicionin me PDK-në për të cilin ai po punon ditë e natë.
Humbësi i shumëfishtë i zgjedhjeve tani më paska akuzuar mua për humbje të zgjedhjeve. Por, ai e di shumë mirë se mua më ofruan të kandidojë për Kryeministre për shkak se ai dhe të tjerët (me një përjashtim) NUK GUXUAN të dalin e të përballen në zgjedhje me Kurtin.
Unë, lëre që e pata guximin, por i solla LDK-së rezultatin më të mirë në 15 vitet e fundit. Recidivisti, në peak-un e fushatës zgjedhore, dilte në intervista duke thënë që nuk është penduar që e ka zgjedhur Thaçin President, duke rrënuar çdo kala, të cilën unë me kolegë e ndërtonim në çdo lagje e çdo fshat duke rikthyer besimin për LDK-në të shkelur rrënjësisht nga Mustafa & Co.
Por, meqë sipas tyre unë ua paskam humbur zgjedhjet (me dallim 1%), le të urdhërojnë tash e të dalin para qytetarëve pa mua (meqë më përjashtuan) e le të fitojnë! Çka po i ndalë tash?! Le të dalin e le të kërkojnë votë për atë që vërtetë përfaqësojnë: patericë e kapësve të shtetit!
Për fund, i kërkoj falje nga thellësia e zemrës të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve ju kam kërkuar votën me besimin e thellë se LDK-ja e Mustafës nuk do të shndërrohet në mashtruese recidiviste!