Nga Alfred Peza/

Ende pa filluar mirë fushata elektorale, kundërshtarët politikë kanë rënë një e nga një pa u kuptuar, në rrjetën e Edi Ramës. Është një nga ato lloj kurthesh të ëmbla, ku gjithkush niset me entuziazmin e rishtarit që beson se do të çudisë dynjanë kur ta sfidojë, derisa në fund e sheh veten pa kuptuar në koleksionin e viktimave të tij.

Kjo po i ndodh këto ditë, si Kryetarit të Partisë Demokratike, ashtu edhe Kryetarit të Shtetit. Si liderit “de jure” të opozitës nga selia e SHQUP, ashtu edhe sfidantit të tij nga selia e Presidentit të Republikës. Si Lulzim Bashës, ashtu edhe Ilir Metës.

Të dy kanë orë, ditë dhe javë që bëjnë statuse në rrjetet sociale, postime në internet, deklarata nëpër mediat tradicionale, konferenca shtypi dhe intervista. Duke hedhur teza që i bëjnë të besojnë se përmes tyre do i marin Partisë Socialiste elektoratin e saj, apo se do ia dalin që të bëjnë për vete votuesit e lëkundur, e për të triumfuar në fund.

Ilir Meta ka kohë që punon përmes shpërdorimit koshient të të drejtës së Presidentit të Republikës, për të bërë dekorime, duke besuar se po bën një investim ideologjik në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit. Duke qenë se raporti me ditën e çlirimit, me 28 apo 29 nëntorin e 1944 dhe qëndrimin ndaj Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë një vijë ndarëse mes të majtës dhe të djathtës në Shqipërinë postkomuniste, po përpiqet që të krijojë idenë se vetëm ai është flamurmbajtësi i vlerave të së majtës së vërtetë.

Evokimi i disa prej figurave simbolike të historisë së 100 viteve të fundit, letra drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS të premten e kaluar, përqafimi i diskursit publik me tone nacionaliste e sovraniste dhe bërja pjesë e fjalorit të përditshëm të simboleve kombëtare, nuk janë rastësore. Janë përpjekje për ca vota më tepër, në favor të LSI, ndërkohë që është aleati më i afërt i Sali Berishës dhe PD.

Ndërsa Lulzim Basha, i pafuqishëm dhe përtac si ai për të bërë një fushatë elektorale që do të krijonte frymën e madhe të ndryshimit për ta kthyer të djathtën në pushtet, i është falur prej 8 vitësh rrymave të fatit përmes pritshmërive të një rrotacioni aksidental pushteti. E shumta që arrin të bëjë këtë kohë, është që të paraqesi për çdo gjë një plan me 5 pika, të cilën kërkon që të mos e zbatojë vetë nëse vjen nesër në pushtet, por çuditërisht që tia zbatojë Edi Rama sot!

E në pamundësi për të prodhuar program politik, elektoral e qeverisës, ekip fitues, bashkimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve opozitarë kundër mazhorancës socialiste, Lulzim Basha po bën atë që di të bëjë më mirë. Të flejë gjumë, të bëjë ndonjë takim mundësisht tek dera e SHQUP dhe të bëjë gafa e lapsuse pafundësisht. Duke u shndërruar nga një lider i fortë opozitar, që synon të bëhet nesër Kryeministër, në meme.

Edhe pa të gjitha këto, Edi Rama do ti mundte nesër në fushatën elektorale, për të arritur synimin e tij elektoral: Fitoren e mandatit të tretë qeverisës radhazi. Por, si Ilir Meta ashtu edhe Lulzim Basha janë aq të paduruar për tu përballur me Kryeministrin kur ti vijë radha në kutinë e votimit, sa e kanë nisur betejën elektorale para kohe.

Ndaj edhe Edi Rama, nuk po ua prish. Pasi i la ca kohë që të futeshin e të futeshin gjithnjë e më thellë në luginën e kurthit të tij, nisi ti godiste sipas mënyrës së tij tipike, pikërisht në çatin kur ata po shihnin në horizont lëndinën e madhe të fitores së tyre iluzive. Ka mjaftuar një fjalim dy orësh në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, disa statuse në rrjetet e tij sociale, replika, komente dhe ironi në mediat tradicionale, për tua prishur jo vetëm humorin por edhe planin. Duke i futur fillimisht në çarkun e tij, e për të lozur deri në fund me ta, lojën e vjetër të macës me minjtë.

Lulzim Basha dhe Ilir Meta harrojnë në këtë histori, se kurrë nuk mund të fitosh kundër një kundërshtari, duke e sulmuar atë në pikën e tij më të fortë. Qëshkurse është futur në politikë, askush deri më sot nuk ia ka dalë që ta mundi Edi Ramën përmes artit të fjalës, batutave, deklaratave, ironisë, komunikimit, marrëdhënieve publike dhe luftës verbale. Sali Berisha e di mirë këtë. Ndaj, duhet ti mësojë dishepujt e tij, që të gjejnë ndonjë gjë tjetër për ta mundur, nëse duan që të paktëm të shpresojnë deri në pranverë!