Hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit në Janar të vitit të kaluar pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive ka ndikuar në rritjen e transportit të mallrave përmes portit detar. Me këtë marrëveshje ishte paraparë që në këtë port të bëhet edhe zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion tregun e Kosovës, por kjo pikë edhe pas dy vjetësh ende nuk është zbatuar.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u mbajt më 2 Tetor u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore të mallrave. Ndonëse është duke u punuar në këtë drejtim ende nuk dihet saktësisht se kur do të nis zhdoganimi i mallrave në portin e Durrësit e që kanë destinacion tregun e Kosovës.
Shfrytëzimi i portit detar të Durrësit ka ndikuar në lehtësimin e transportit më të shpejtë të mallrave për bizneset në Kosovë dhe uljen e kostos. Sipas Doganave të Kosovës prej Janarit të vitit të kaluar janë realizuar rreth 5000 dërgesa në portin e Durrësit të cilat kanë shfrytëzuar procedurat tranzitimit të brendshëm për në Kosovë. Megjithatë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka premtuar se shumë shpejt do të vizitojë Kosovën për të nënshkruar marrëveshjen që e kalon një pjesë të portit të Durrësit në shërbim të plotë të Kosovës, por që nuk dihen detajet nëse do të ketë Kosova kompetenca shtesë në këtë port.