Milan do të jetë kundërshtar i Romës në derbin e xhiros së pestë në Serie A. Kuqezinjtë e kanë nisur për mrekulli edicionin e ri pasi kanë marrë katër fitore radhazi në kampionat.
Në anën tjetër Roma ka shtatë pikë pas katër ndeshjeve, ku të parën e humbën në tavolinë me rezultat zyrtar 3-0 nga Verona. Gjithsesi për këtë takim mungon Gianluca Mançini në repartin defensivë te Roma, teksa Chris Smalling është ende në dyshim. Trajneri i Romës, Paulo Fonseca e ka ngritur në qiell mbrojtësin shqiptar, Marash Kumbulla. Tekniku portugez ka thënë se ka besim tek shqiptari për ta ndalë Ibrahimoviçin në pyetjen e gazetarëve se kush do ta ndalë suedezin që është duke kaluar nëpër një formë të mrekullueshme.
“Kumbulla do të jetë ai që do ta ndalë Ibrahimoviçin. Kam besim të madh në të”, ka deklaruar Fonseca. Kujtojmë që Kumbulla të enjten bëri debutimin me Romën në garat evropiane, teksa me golin e tij i siguroi fitoren italianëve në udhëtim te Young Boys Bern 1-2.