Eksportet me Kosovën pësuan rritje me 16% në vitin 2019, duke zënë 28% të totalit të peshës së eksporteve. Kështu u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke u ndalur te shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

“Bashkë pa kufi është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë përgjatë viteve me Kosovën”, tha ministrja. Shqipëria dhe Kosova kanë zgjeruar marrëdhëniet e tyre tregtare në vitet e fundit. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-gusht arritën në 15.1 miliardë lekë, ndërsa importet 5.1 miliardë lekë.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës materiale ndërtimi dhe metale. Vlera e eksporteve të këtij grupi llogaritet gati 6.7 miliardë lekë. Referuar statistikave, në 10 vitet e fundit eksportet shqiptare drejt Kosovës janë katërfishuar.

Gjatë vitit 2019 dinamika pozitive e shkëmbimeve tregtare ka bërë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të arrijë vlerat më të larta të shkëmbimeve në gati 300 milionë euro.