Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek infrastruktura portuale, ku deklaroi se së shpejti do të fillojë transformimi i madh i portit të Durrësit. “Plani ynë është që të spostojmë portin ekzistues që e ka mbaruar prej kohësh funksionin e tij si port komercial mallrash në mes të qytetit, me një infrastrukturë të dalë kohe prej kohësh dhe me standarde mjedisore shumë të ulëta, thuajse zero. Faktikisht pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi për një epokë tjetër për Durrësin turistik, infrastrukturë me potencial për sa i takon turizmit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ne jemi me diskutime të vazhdueshme me partnerë ndërkombëtarë, shtete, jo kompani, dhe më herët se vonë do të arrijmë një marrëveshje shtetërore për të sjellë aty investimin më të madh privat në Shqipëri, në një formulë bashkëpunimi me shtetin. “Për këtë arsye, ne do të fillojmë javën në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në garë ndërkombëtare portin e ri të Durrësit, që do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani i zonës së lirë ekonomike, që jemi shumë optimistë që do të funksionojë dhe kemi shumë kërkesa”, tha Rama.

Po kështu, Kryeministri theksoi se këtë do të bëjmë edhe me Vlorën. “Porti ekzistues ka një infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standardeve dhe shërbimeve. Impakti negativ që ka në zonën e bregdetit prek drejtpërdrejt qytetin”, tha Rama. Ai theksoi se “vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare me Lungomaren, në fazën e tretë përfshin edhe një port turistik që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër edhe me Durrësin”.

Ndërkohë, Rama tha se “edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do të mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër”. “Në pak javë do të mund të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që në fakt do të jetë i pari që do të fillojë, atij të Sarandës. Kemi marrë një propozim që është fantastik dhe ndryshon plotësisht gjithë paradigmën e zhvillimit të Sarandës”, tha Rama. Ai tha se “Shqipëria do të hyjë shpejt në një hartë ku ka munguar me dekada, harta e turizmit të detit në aspektin e ekonomisë së detit, jo të zhytjeve dhe daljeve nga uji të personave”.