Praktikat në biznes dhe kërkesa gjithmonë e në rritje i bëjnë shkollat profesionale të jenë një mundësi e mirë për t’ia dalë mbanë në tregun e punës. Enida Haxhi, inxhiniere elektronike, e cila prej 9 vitesh jep mësim në shkollën teknike “Gjergj Canco”, shprehet se gjithnjë e më tepër të rinjtë po kërkojnë të drejtohen shkollave profesionale, ndërsa edhe bizneset që kërkojnë të punësojnë këta të rinj fillimisht duke iu ofruar praktikën pranë tyre e më pas duke i bërë pjesë të stafit të tyre po vijnë gjithnjë në rritje.

Haxhi thotë se shkolla ka një eksperiencë të gjatë në drejtim të elektronikës dhe kërkesat e tregut janë në rritje. Punësimi dhe zhvillimi i aftësive në përputhje me kërkesat e tregut të punës, është një nga prioritetet e qeverisë. Në të gjithë vendin janë 35 shkolla profesionale ku studiojnë mbi 20 mijë nxënës. Krahas shkollave mundësi për të marrë një profesion krijohen edhe përmes kurseve të formimit profesional pranë qendrave të ngritura nga Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Në periudhën janar-dhjetor 2019 kanë ndjekur kurset e formimit profesional 8818 punëkërkues të papunë ose rreth 12% të totalit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Zyrat e Punës.