Nga vendimi i Parlamentit për zerimin e tatimfitimit për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, duke nisur nga 1 janari 2021 do të përfitojnë 91% e bizneseve që operojnë në treg. Nga tatimfitimi biznesi i vogël është çliruar për një periudhë 9-vjeçare. Vetëm 9% e biznesit e kalon këtë prag dhe për këtë kategori norma e tatimfitimit nuk ndryshon. Qeveria vendosi të zerojë tatimfitimin për biznesin e vogël me qëllim lehtësimin e barrës fiskale të biznesit, e cila konsiderohet më e ndjeshme ndaj situatës së vështirë financiare të krijuar nga COVID-19.
Më tepër sesa për peshën e tyre në të ardhurat buxhetore, bizneset e vogla kanë rëndësi për nivelin e lartë të punësimit, pasi pjesa dërrmuese janë të vetëpunësuar dhe biznese familjare. Në vitin 2013-n, numri i të punësuarve pranë biznesit të vogël llogaritej 52 mijë, ndërsa në vitin 2019, numri i të punësuarve arriti në 135 mijë.
Biznesi i vogël ka paguar taksa në buxhet gjatë periudhës 2006-2013 19 miliardë lekë, ndërsa gjatë periudhës 2014-2019 vetëm 5.3 miliardë lekë.
Nga data 1 janar 2014, biznesit të vogël (tatimpaguesit me qarkullim nën 8 milionë lekë) iu përgjysmua tatimi mbi fitimin në 7,5% në krahasim me biznesin e madh (tatimpaguesit me qarkullim mbi 8 milionë lekë), për të cilët norma tatimore u bë 15%. Tatimpaguesit me qarkullim nga zero në 2 milionë lekë paguanin një tatim fiks prej 25 mijë lekësh në vit. Nga data 1 janar 2016, u propozua të thellohet kjo ulje, me një normë tatimi prej vetëm 5%, për tatimpaguesit nga 5 milionë deri në 8 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim nën 5 milionë lekë, tatimfitimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël u bë zero.
Nga 1 janar 2019, u ndryshua mënyra e shkallëzimit për efekt të aplikimit të normës së tatimit mbi fitimin. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë norma e tatimit mbi fitimin propozohet 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin të mbetet 15% e fitimit para tatimit. Aktualisht norma tatimore për efekt të tatimit mbi fitimin bazohet në qarkullimin vjetor të tatimpaguesve, dhe konkretisht shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit dhe 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.