Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se në mars të vitit 2022 nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Gjatë një interviste në medie, Ahemtaj tha se shtëpitë individuale dhe riparimi I të gjitha banesave të dëmtuara do tëp ërfundojnë në muajin maj të vitit që vjen.5 të gjitha njësitë individuale (banesat) do të jenë ndërtuar, ndërkohë që rreth 90% e pallateve do të jenë gati në tetor të 2021-it.

“Brenda majit të vitit që vjen të gjitha njësitë individuale do të kenë mbaruar. Brenda majit edhe të gjitha DS4 do të jenë riparuar, patjetër dhe DS1 deri në DS3. Laçi, gjysma e pallateve do të jetë gati në mars. Rreth 90% e pallateve do të jenë gati në tetor 2021. Në mars 2022 nuk do të shihni asnjë shenjë të tërmetit, dhe të gjitha banesat do të jenë të rindërtuara ose rikonstruktuar. Kjo është përgjigje zyrtare por dhe personale. Në emër të kryeministrit ky është një skedul i mirëmenduar. Askush nuk do të ngelet pa shtëpi”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për procesin e Rindërtimit. “Opozita siç doli dhe sot ka si qëllim që të bëjë pis çdo proces. Rindërtimi është proces unik. Me çdo lloj procesi rindërtimi, edhe në vendet e zhvilluara, janë me 6-8 vite ku njerëzit vërtiten nëpër kontejnerë dhe çadra. Është totalisht social dhe është në ADN të profilit tonë si mazhorancë, ky proces është totalisht social dhe i majtë. Shumë vende të botës në raste të tilla i ofrojnë qytetarëve kredi me kushte të buta. Për një sekondë ju ftoj të imagjinoni mbi 28-30 mijë familje që të rreshtoheshin tek bankat e Shqipërisë dhe të kërkonin kredi. Ndërsa ne kemi bërë një instrument social dhe shtëpitë do të jenë falas, të 4 programet janë sociale. I pari janë grantet. Kur del PD dhe flet ato që flet, ku në një pandemi dhe në një gjëmë që ndodhi me tërmetin, do të kishte hije që të ishte mbështetëse dhe të na shtynte që të ecnim përpara dhe jo bolori dhe fake news dhe fakte të rreme siç e kanë strategji. Hedhin fakte të paqena. Ne japim shtëpi falas”, deklaroi ministri.

Ahmetaj po ashtu bëri të ditur se grantet e rikonstruksionit janë 10.4 miliardë lekë deri më sot të aprovuara, ndërsa 6.4 miliardë janë të shpërndara në duart e familjeve. Sipas tij, janë 28 mijë familje që përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit. Sot, theksoi ai, janë 1234 familje në çadra. “Të 100 milionë dollarët do të shkojnë për ta”, tha ministri. Programi i dytë, vijoi ministri, është i njësive individuale. Sipas tij, janë rreth 1 mijë familje që do të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre të reja të bëra falas.

“Në Thumanë janë bërë lagje moderne, me shtëpi më të mira se ato që humbën. Deri në 31 dhjetor do të jenë përfitues rreth 1 mijë familje, janë çelësa reale, janë shpirtra reale që përfitojnë”, shtoi Ahmetaj. Programi tjetër, theksoi ministri, janë shkollat. “Ne do ndërtojmë 155 shkolla me standarde të BE. Janë 52 shkolla në vlerësim që mund t’i shtohen kësaj liste. Shkelni një nga shkollat që kanë mbaruar, standarde europiane. Nuk është ky investim në 30 vite. Janë 59 shkolla që po bëhen nga buxheti i shteti”, u shpreh ai.

Sipas Ahmetaj, pallatet janë një projekt tjetër dhe ka nisur ndërtimi i tyre në lagjen ‘5 Maji’, në Kavajë dhe në Durrës. Shumë shpejt do të nisë në Kombinat ndërtimi i pallateve. “S’kemi humbur asnjë ditë. Procesi i rindërtimit është sa ¼ e ndërtimeve të tjera. Kur nisëm në Laç, nisën që nga plaku dhe deri më i riu andej nga boloria politike, dhe thanë; ‘nuk po punohet’. Po e keni parë se çfarë po ndodh atje? Një model ndërtimi. E mbani mend Laçin e PD? ! Edhe ai përrua që kalonte mes Laçit, do sistemohet. Me Abu Dabin firmosëm 75 milionë dollarë. Ju them qytetarëve të Durrësit që paratë e Emirateve na i kanë dhuruar, dhe do i punojnë dhe do ndërtojnë vetë”, tha Ahmetaj. Ministri Ahmetaj bëri të ditur se një skuadër e caktuar nga vet Emiratet e Bashkuara mbërrin javën që vjen në Tiranë për të menaxhuar projektin dhe përzgjedhur kompaninë që do të ndërtojë pallatet. Në krye të 2-3 javëve, tha ai, nisë ndërtimi i pallateve.

Lidhur me akuzën e opozitës për ritëm të ulët të procesit ministri tha se edhe pse nuk është një proces i lehtë ai ka vijuar me ritme të shpejta. “I ftoj që të bëjnë një kalkulim, se për to janë tmerrësisht të saktë. Janë sot në përfundim e sipër 28 shkolla që po bëhen nga buxheti i shtetit, 2.6% janë këto nga 155. Duhet ta bëjë njëri llogarinë, që ta bëjë saktë, se kanë llahtarisur njerëzit me tabelën e shumëzimit. Në 31 dhjetor mbarojnë rreth 1 mijë banesa. Po në 100 milionë dollarë, janë shpërndarë 74 mln dollarë. 2.6 % është kjo? Se na llahtarisët! Procesi nuk është i kollajtë. Është gjetur financimi, është strukturuar në buxhet. Është proces i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm. Pastaj janë bërë projektet, prokurimet, apo shpronësimet me shkëmbim apo ato me mjete monetare. Bolorisë politike nuk i referohem fare, i them që; ‘kthehuni tek tabela e shumëzimit’. Është një spital në Laç që po ndërtohet. Durrësi dhe Kavaja, Vora, janë thuajse gati”, tha Ahmetaj.