Dy herë në Hagë, dy herë i pafajshëm. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ftuar në emisionin Ballkan në ABC të gazetares Linda Karadaku rrëfeu mbrëmjen e sotme përballjen me Sllobodan Millosheviçin në burg në Hagë. Haradinaj tregoi përballjet që ka pasur me kasapin e Ballkanit dhe shkëmbimet e thumbave mes tyre. Për çfarë e pyeti dhe cila ishte përgjigja e njërit prej komandantëve të luftës së UÇK-së.

E kam parë disa herë, kemi qenë në kate të ndryshme, unë kam qenë në katin e tretë, ai në katin e parë për shkak të moshës dhe afërsisë me sallat e punës për avokatët, por zakonisht kur kemi pasur vizita apo takime me avokatë, kemi shfrytëzuar të njëjtat hapësira të përbashkëta. Kemi folur dy tre herë. Herën e parë nuk e njoha, e kemi parë në televizor, kostum, aty e kishte lëshuar fort, kishte rënë për tokë, kishte tuta, një jelek si të peshkatarëve me shumë xhepa, mbi ato tutat dhe më foli në anglisht. Një anglishte të lodhur, më tha a je filani? Unë nuk e dita me kë po flas dhe u ndala po e shihja, dhe tha, unë jam Milloshevici, po ishte një distancë ashtu. Tha, si po të duket këtu? Pyetja e parë që ma bëri dhe ky ishte një farë cinizmi, që shyqyr që erdhe ti, i thashë, nuk e di, ju jeni më gjatë, si po kalon? Kuptohet, aty kishte edhe gardian, dhe personel, dhe më tha e merr vesh vetë. Dy tre raste kam pasur. Më tha si është puna atje poshtë, i thashë ku poshtë? Në Kosovë, i thashë jo mirë. Tha pse?

I thashë kemi problem me europianët, ata duan të na bëjnë shtet, por multietnik, por edhe amerikanët, shumë probleme, tha pse? I thash po dojn me na e bërë ushtrinë si të vetën, edhe kjo nuk i pëlqeu fare, kjo ka qenë hera e fundit që kemi komunikuar. Aty kanë qenë të gjithë, Shesheli, etj. Disa prej tyre kanë pasur mënyra me shpjeguar historinë e popullit të vet, tha Haradinaj. Ndërkohë që tashmë me drejtësinë në Hagë po përballen shokët e luftës së Haradinajt, kupola e UÇK-së, nga Hashim Thaçi, te Veseli, Selimi dhe Krasniqi.