SËMUNDJET SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME -Kontaktet e pambrojtura seksuale mund të transmetojnë tek partnerët më shumë se 30 viruse, bakterie dhe parazitë(infeksione seksualisht të transmetueshme) që mund të cojnë deri në fatalitet.
Disa prej këtyre infeksioneve seksualisht të transmetueshme si gonorrhea, sifilizi janë të trajtueshme dhe të shërueshme, ndërsa infeksione të tilla HIV dhe AIDS që transmetohen nëpërmjet rrugëve seksuale janë ndër shkaktarët kryesorë të semundjeve akute apo kronike me rrjedhojë infertilitetin, paaftësinë afatgjatë dhe vdekjen në femrat e moshës riprodhuese.
Referuar të dhënave në nivel global, çdo vit ka rreth 357 milionë infeksione të reja. Pjesa më e madhe e rasteve të IST-ve të trajtueshme nuk kanë simptoma ose kanë vetëm simptoma të lehta. Shenjat më të shpeshta të infeksioneve seksualisht të transmetueshme përfshijnë: sekrecionet vaginale te femrat, sekrecionet uretrale ose djegiet te burrat, ulcera genitale dhe dhimbje barku. Në disa raste IST-të mund të kenë pasoja të rënda në shëndetin riprodhues përtej impaktit të menjëhershëm që kanë (p.sh. infertiliteti, transmetimi nënë-fëmijë).
Situata në Shqipëri: Bazuar në të dhënat e Survejancës Sindromike të vendosur me mbështetjen e UNFPA-së, për periudhën 2010-2014 raportohet një rritje e numrit të Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshmë nga 12 – 40% . Sipas të dhenave që raporton UNFPA, përmes zhvillimit të programeve të ndryshme të parandalimit të, infeksionet seksualisht të transmetueshme, thuhet se këto infeksione janë më tepër të ndeshura tek femrat. Ndërsa në lidhje me meshkujt, ka mangësi dhe në raportim, pavarësisht se burimi i informacionit përfshinë shërbimet e Obstetrik-Gjinekologjisë, Urologjisë, Infektivit dhe Dermatologjisë.
Por cilat janë disa nga infeksionet seksualisht të transmetushme që kërcënojnë shëndetin e njeriut?
Sifilizi
Pas disa dekadave, në fillim të viteve ’90, u rishfaq Sifilizi në Shqipëri. Nga ky vit e në vijmësi infeksioni i sifilizit ka pësuar rritje duke shënuar kulmin në 2014 kur shifra shkuan në 124 raste ose e shprehur në formë incidence, 3 raste për 100.000 banorë. Kjo shifër tregon një rritje dramatike të kësaj sëmundje po të krahasohet me incidencën 0.85 për 100.000 banorë në vitin 2010.
Sëmundja e Sifilizit është më shumë sëmundje mashkullore. Referuar të dhënave të shpërndarjes sipas gjinisë, 72% e të prekurve janё meshkuj dhe 28% janё femra. Por sifilizi nuk është një infeksion që prek vetëm partnerët në një marrëdhënie seksuale. Ndodh dhe transmetimi vertikal pra tansmetimi i infeksionit nga nëna tek fëmija.
Kjo formë transmetimi është shfaqur pёr herё tё parё nё vitin 2013, me dy rastet e para me sifiliz kongenital te dy bebe tё porsalindura nga nёna e prekur nga ky infeksion.Referuar grupmoshave, Sifilizi ka gjetur më tepër përhapje në moshat 24-49 vjeç vlerësuar me riskun e përhapjes 68%.
Hepatiti viral B dhe C : Pavarësisht se ka një rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve të prekur nga Hepatit B dhe C, Shqipëria mbetet ende një vend me prevalencë të ndërmjetme deri në të lartë. Kjo prevalencë llogaritet të jetë 7-9% të Hepatit B, ndërsa prevalenca e hepatitit C është në shifrat 1-1.5%.
Grupmosha më e prekur rezulton të jetë ajo 25-44 vjeç për të dy tipat e Hepatitit, ndërkohë që konstatohet që po shkojnë drejt zeros rastet me hepatit në grup-moshën 0-18 vjeç, fakt ky që i detyrohet mbulesës së lartë vaksinale në vend dhe programeve shtesë të vaksinimit për këtë grup-moshë.Kështu për periudhën 4 vjeçare, 2010-2014 janë raportuar 676 raste me hepatit B, nga të cilat 231 janë femra dhe 445 janë meshkuj. Për Hepatit C janë raportuar 203 raste, nga të cilat 128 janë meshkuj dhe 75 janë femra.Rrethet me incidencën më të lartë janë Berati, Durrësi, Shkodra, Tirana, Vlora, qarqe këto që kanë edhe popullsinë më të madhe. Grupet më të rrezikuara janë personat që kanë kontakt me personat e prekur me këto sëmundje si personeli shëndetësor, personat që marrin transfuzione të shumta të gjakut, përdoruesit e drogave, gratë shtatzënë etj.
HIV dhe AIDS HIV Hiv dhe AIDS mbete dy nga infeksionet më kërcënuese të shëndetit të popullatës jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Sipas të dhënave të ISHP-së, deri në nëntor 2015 janë regjistruar 870 raste të raportuara me HIV AIDS në Shqipëri. Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Shqipëri nuk ka epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV. Nga përllogaritjet rezulton se prevalenca e HIV-it në vendin tonë është 0.03 % dhe incidenca është 0.003%. Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2015 (nëntor 2015) është 87 persona, ku midis tyre raportohet edhe një fëmijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 40. Në Shqipëri, rreth 50% e rasteve janë diagnostikuar në stadin AIDS. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ISHP-në dhe UNFPA-në ndërtoi Programin e Parandalimit të Transmetimit të HIV-it nga Nëna tek Fëmija. Si hap i parë i këtij programi u hartua “Udhëzuesi për testimin e gruas shtatzënë për disa agjentë infektiv: HIV, Sifiliz, Hepatit B. Ekspertët rendisin disa arsye përsa i takon rasteve të përsonave të prekur më HIV dhe AIDS si: Ulja e numrit të testimeve, përdorimi i ulët i prezervativëve dhe kontraceptivëve, informacioni ende i pakët për shëndetin riprodhues dhe edukatën seksuale, testimi vullnetar si dhe stigma që përfshirë paragjykimet ndaj personave të infektuar me HIV AIDS.
Ulja e incidencës për rastet e AIDS-it kërkojnë investime afatgjata. Në këtë rast përfshihen disa faktor si shëndeti dhe të drejtat seksuale e riprodhuese, bashkë më të drejtat e njeriut.
Qasja e UNFPA ndaj HIV AIDS bazohet në tre strategji: promovimi i të drejtave të njeriut dhe zvogëlimi i pabarazive, realizimi i testimeve, mbrotja e shëndetit riprodhues si dhe parandalimi i transmetimit seksual të HIV-it.