Më shumë se 309 mijë punonjës me paga mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë, e që paguajnë tatim 13%, do të jenë përfitues të uljes së tatimit mbi rrogwn. Nga ana tjetër janë mbi 13 mijë të punësuar që paguajnë tatim mbi 23%, ndërsa kategoria me paga deri në 30 mijë lekë nuk tatohet. Report TV është interesuar pranë Ministrisë së Financave edhe për mundësinë e një rishikimi të fashave të pagave, pas uljes së tatimit, por ky ndryshim nuk po diskutohet.Por si tatohet puna në Shqipëri në krahasim me rajonin? Në Kosovë aplikohen disa fasha tatimi për pagat dhe më e larta është 10%, në Serbi tatimi mbi pagat është i sheshtë në nivelin 10%, në Malin e Zi, janë në fuqi 2 nivele 9 dhe 11% dhe në Maqedoninë e Veriut përdoret tatimi 11 dhe 18% për pagat.
Shtetet fqinje pak a shumë ndjekin politikë progresive në këtë aspekt, ndërkohë që mbetet të shikohet se nga cila ana do të vendos Ministria e Financave për të tatuar punën. Teksa qeveria qëndron e vendosur për të vijuar me tatimin progresiv, opozita mbron tezën e saj për taksën e sheshtë prej 9%. Një vendim i tillë nga ana e qeverisë do të ulë të ardhurat në buxhetin e shtetit që vijnë nga tatimi mbi të ardhurat personale, por efekti negativ financiar pritet të kalkulohet pas vendosjes së fashave të reja.
Paraprakisht Ministria e Financave në vitin që vjen pret të mbledhë nga tatimi mbi të ardhurat personale 41 miliardë lekë ose 2.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo pritshmëri është më e ulët se sa parashikimi i buxhetit fillestar të këtij viti, ku pa efektin e pandemisë qeveria priste 47,5 miliardë lekë ose 2.6% e PBB-së së vendit. Ky reduktim i të ardhurave nga ky zë nuk ka të bëjë me uljen e tatimit por me rritjen e papunësisë si pasojë e pandemisë COVID-19. (Shqiptarja.com)