Një nga objektivat më të rëndësishëm të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë është mbështetja në mënyrë të veçantë e nxënësve të klasave kolektive. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka vijuar me shpërndarjen e tabletave digjitale në këto klasa kolektive, këtë herë në Librazhd. Kësaj here, bashkë me Taulantin dhe Kastriotin ishim në shkollën e mesme të bashkuar “Muhedin Sherifi” në Polis-Gostimë të Librazhdit, ku shpërndamë tableta digjitale për nxënësit e klasave kolektive, të cilët në këtë situatë pandemie janë në kushte më të vështira së nxënësit e klasave normale – shkruan ministrja në rrjetin social Facebook.

Falë partnerëve tanë dhe donatorëve, ne kemi garantuar jo vetëm këtu, por në të gjithë Shqipërinë tableta digjitale për nxënësit e klasave kolektive, në mënyrë që t’i përforcojnë akoma më shumë njohuritë e tyre edhe nëpërmjet platformës akademi.al– është shprehur ministrja Kushi.

Ndërkohë ministrja Kushi u shpreh e kënaqur nga respektimi i masave anti-Covid në këtë shkollë, që në hyrje, por edhe brenda në të gjitha klasat. Shpresoj që situata të vazhdojë kështu deri në fund, dhe ne të jemi gjithmonë në skenarin e parë të zhvillimit të mësimit në klasë, në bankat e shkollës– tha ministrja. Ndërkohë një arsye tjetër pse është vizituar kjo shkollë, është inspektimi nga afër i gjendjes së shkollës.
Shpresojmë që së shpejti nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle të bëjnë mësim në kushte normale –shprehet ministrja Kushi.