Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot fondin prej 1.2 miliardë lekësh për kurimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Deputeti Anastas Angjeli deklaroi se, “duke parë situatën e krijuar prej COVID-19 dhe ndikimin e madh që ka, ne morëm në konsideratë futjen e paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19 në paketën e ilaçeve të rimbursueshme. Nga përllogaritjet e bëra rezulton se nevojiten rreth 1.2 miliardë lekë për të rimbursuar ilaçet për kurim nga COVID për çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë. Ky është një lajm i mirë për shqiptarët”.
Angjeli po ashtu bëri të ditur se ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është shtuar edhe fondi prej 1 miliard lekë për rritjen e pagesës së papunësisë, pasi jo vetëm kompensimi i ilaçeve, por edhe mundësia për të përballuar në këto kushte jetesën është e domosdoshme.
“I kemi dhënë një zgjidhje shqiptarëve dhe kemi treguar se ky buxhet është antiCOVID dhe antikrizë“, deklaroi Angjeli. Njëkohësisht qeveria ka miratuar edhe rritjen e pagave me 40% për mjekët, infermierët dhe laborantët nga 1 janari i 2021.