Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe të gjithë popullin shqiptar 108 vjetorin e pavarësisë nëpërmjet një telegrami. Në letrën e saj Osmani shprehet se 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar.
“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit.