Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e cilësoi si “një nga kartat e forta të Partisë Socialiste, për garën e ardhshme elektorale, mënyrën sesi u menaxhua tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar”.
Gjatë një interviste televizive Klosi tha se, “kemi bërë në mënyrë të shkëlqyer menaxhimin e situatës së pas tërmetit”.
“Ne po përpiqemi kaq fort edhe në kuadër të luftës kundër pandemisë për të mos ceduar asnjë moment nga kujdesi ndaj qytetarit. Si sot një vit më parë ne arritëm të sistemonim 6 mijë qytetarë të dëmtuar nga tërmeti, nëpër hotelet e gjithë Shqipërisë, për një periudhë 3 deri 4-mujore. Të gjitha familjet që donin të sistemoheshin në këto hotele u sistemuan. Ndërsa për 13 mijë familje të tjera shteti paguan kontratë qiraje, për sistemimin që kanë zgjedhur nëpër apartamente”, u shpreh ministri.
Klosi tha se “familjet në zonat rurale kërkuan vetë të sistemohen në çadra dhe askush prej tyre nuk u detyrua të qëndronte në çadra”.
Ai e cilësoi një arritje të shkëlqyer të qeverisë Konferencën e Donatorëve për kapërcimin e pasojave të tërmetit.
“Mbi 1 miliard euro që u premtuan janë të gjitha në proces. 155 shkolla që u dëmtuan, janë të gjitha në proces vlerësimi dhe një pjesë janë rindërtuar me fonde nga buxheti i shtetit dhe premtimi për të siguruar hyrjen në shkolla po realizohet, ndërsa të tjera objekte arsimore janë në proces rindërtimi”, deklaroi ai.
Për sa i takon objekteve të banimit, ministri bëri të ditur se, “janë pothuajse në proces të realizimit të plotë”.
Ai theksoi se ky ishte një proces menaxhimi i shkëlyer, sepse askush nuk u la jashtë vëmendjes dhe kjo është një arritje e padiskutueshme e qeverisë.