Shkolla 9-vjeçare Vëllezërit Haradinaj në Rrashbull, Durrës, do të rihapë dyert për nxënësit me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto ambiente ku 521 nxënës dhe 47 fëmijë do nisin mësimin me kushte bashkëkohore në shkollën 9-vjeçare Vëllezërit Haradinaj dhe kopshtin me të njëjtin emër. Mirëmëngjes dhe me një tjetër shkollë për marshallah, Vëllezërit Haradinaj në Rrashbull, Durrës, ju uroj një fundjavë të qetë, shkruan Rama.
Shkolla ka sistem termoizolimi me kapotë, infermieri, dhomë psikologu, sistem mbrojtje antizjarr, bibliotekë dhe sallë leximi në dy kate 150 m2. Po ashtu shkolla është e pajisur me shkallë emergjence, dritare termike, sistem kamerash, sistem ngrohje qendrore etj. Në kuadër të Programit të Rindërtimit, 143 shkolla të reja me standarde europiane do të jenë gati brenda vitit 2021.