Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Demokratike po sulmon ndërtimin e shkollave pikërisht sepse ato janë arritja më e madhe. Nuk janë bërë kurrë kaq shumë shkolla në Tiranë. Ne bëjmë çdo vit mesatarisht 4 shkolla të reja. Vitin tjetër do bëjmë mbi 10 shkolla të reja. Kjo i tërbon, se injorantin e zë arsimi, e zë shkolla, e zë libri, tha Veliaj, teksa i kujtoi qytetarëve se ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka qenë 4 vjet nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, por askush nuk e mban mend këtë fakt, pasi nuk bëri asgjë, njësoj si Lulzim Basha.
E keni parë si çirren përditë? Edhe sot kishte dalë shoqja ime Jorida, çirrej për “Sami Frashërin”. Shumë njerëz e kanë harruar se ajo dhe Petrit Vasili kanë qenë nënkryetarë të Bashkisë së Lulit. E dini pse e kanë harruar? Se nuk bënë asnjë punë! Se nuk bënë asnjë shkollë! Se nuk lanë asnjë shenjë! Se nuk ngulën një gozhdë! Se ju ngeci sahati! Prandaj, njerëzit e kanë harruar se në koalicionin e Monikës me Lulin në Bashkinë e Tiranës, 2011-2015, Jorida me Petritin ishin nënkryetarë Bashkie dhe sigurisht kur nuk ke bërë asnjë punë e kupton që çdo punë që bëhet është humbja jote e ardhshme dhe është fitorja e njerëzve të punës, ironizoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se nuk habitet nëse edhe Tabaku, ashtu si kryetari i saj, do t’i lerë akuzat për Samiun si gjobë për një vilë në Lalëz.
E kemi mësuar tani: ata nuk kundërshtojnë asgjë pa vënë gjobë. Janë e gjitha një ndërmarrje kriminale, që punon për dy familje: Te Astiri thanë: Do vdesim mbi tank, mbi ekskavator…, por morën një makinë dhe u fik protesta. Jam i sigurt, do dalë një vilë në Lalëz edhe për Joridën, nga ndërtuesit e shkollave, dhe do fiket edhe kjo e Samiut. Kështu që, pyetja për shokët tanë demokratë dhe për shokët tanë të LSI-së është: Do vazhdoni t’i shërbeni 2 familjeve – se ata funksionojnë si ndërmarrje kriminale, vetëm për dy familje, vihen gjoba vetëm për dy familje, shtohen vilat e pasuria vetëm për dy familje, – apo do bashkoheni me ne, siç janë bashkuar shumë anëtarë demokratë, shumë të PDIU, shumë të LSI dhe thonë duam të jemi me një parti të madhe si PS, që mendon për familjen time, jo për familjen e kryetarit, u shpreh Veliaj.