Dalja e katër forcave politike të reja nga “hambari politik” i Partisë Demokratike, nuk është një fenomen i ri në politikën shqiptare. Shkaqet duhet të analizohen, por historikisht ka qenë grupimi që ka “lindur” më shumë forca politike në të gjithë historinë e tranzicionit shqiptar. E kjo nga faktorë të ndryshëm që në rezultanten e analizave na sjellin në pikënisjen e PD-së në dhjetorin e vitit 1990. Partia Demokratike u formësua jo si një alternativë politike e mirëfilltë ideologjike, as si një grumbullim i grupeve të veçanta të interesit, madje kanë qenë përpjekje të forta për ta ndaluar një zhvillim të tillë, por si një lëvizje popullore e gjerë, që brenda saj përfshinte disa rryma: në radhë të parë dizidentët apo antikomunistët e betuar ndaj PPSH-së, grupet e lidhura me të, pra të pakënaqurit antagonistë, por edhe grupime të tjera që pakënaqësinë në krahasim me grupet e tjera e kishin si rrjedhim edhe pragmatist.

Ndërkohë PS-ja që mori formë në vitin 1991-në qershor, pra 7 muaj mbrapa PD-së ishte si një subjekt që luajti më shumë në difensivë. Kur më 22 mars 1992, Sali Berisha u zgjodh president e Aleksandër Meksi kryeministër, e që ishte një zgjidhje normale politike e PD-së, nga shumë grupime mbështetëse u shikua si jo adekuata. Pasi pati mjaft rryma që donin një tjetër rrjedhë politike në vend, për shumë arsye. E në fakt, kur nisi qeverisja Berisha-Meksi pas 22 marsit 1992, pritej logjikisht një pakënaqësi apo një pasojë “ortek” lëvizjesh alternative. Ç’ka ishte edhe dialektike, pasi një lëvizje e re shkaktoi edhe një zhgënjim karrierash. Politika në radhë të parë është interes dhe si e tillë do të vijonte në rrugën e saj të gjatë e të panjohur për shqiptarët. Por lëvizja e parë politike që lindi nga PD nuk ishte një logjikë e tillë, pra kur të pakënaqurit thjesht dolën mënjanë e të thonë; “OK deri tani por ne kemi rrugën tonë”, JO!

Lëvizja e parë e krijuar nga PD ishte një histori linçimi, kur disa njerëz që nuk ranë dakord me politikën e lidershipit të Sali Berishës, u larguan me dhunë nga PD, u su lmuan pasi ata nuk ishin dakord me politikën zyrtare. Bëhet fjalë për PAD-në e Spartak Ngjelës, Neritan Cekës, Gramoz Pashkos, Preç Zogajt, Arben Demetit, Shahin Kadaresë, Gjergj Zefit, Arben Imamit, Ritvan Peshkëpisë etj. Kjo forcë politike u imponua në zhvillimet në vend, jo thjesht si një parti që kërkonte të merrte një elektorat apo vende në Parlament në bazë të një pragmatizmi, por u investua si logjikë politikë kundër asaj që ajo e quajti “devijim” i Sali Berishës, i cili i kishte dëbuar e degdisur të gjithë këta themelues të PD-së. Kjo lëvizje ishte më traumatikja dhe më e rëndësishmja, që më pas u bë precedent dhe hapi rrugën për forcat e reja politike të tjera. E vijoi Abdi Baleta dhe Petrit kalakula, që ishin një grupim më i vogël por gjithsesi i rëndësishëm që nuk u pajtua me Sali berishën.

Në vitin 1997 ishte Lëvizja për Demokraci e Dashamir Shehit, genc Rulit, Artan Hoxhës etj. Por ndërkohë edhe brenda PD-së gjërat zienin, ishte vetë Kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi që nuk u pajtua me mënyrën sesi Berisha e trajtoi PD-në edhe pse në mënyrë luajale dha dorëheqjen kur ja kërkoi Presidenti që ishte edhe kryetar de fakto i PD-së. Që ta kujtojmë edhe atëherë PD-ja kishte një kryetar “de fakto” si Lulzim Basha sot, e që ishte Tritan Shehu, por që realisht kryetar ishte Sali Berisha-në atë kohë President i Republikës. Ndaj edhe pas zgjedhjeve të 1997, Berisha që kishte shkelur Kodin Zgjedhur duke qenë kandidat për deputet i PD-së në listat proporcionale, iku nga Presidenca dhe e mori lehtësisht PD-në. Njësoj si sot në kohën e Bashës.

E pas 1997, pikërisht nga kjo mënyrë e trajtimit privat të PD-së nga Berisha lindën partitë e reja. PDr-ja e Genc Pollos që mori me vete Ndokën, Ferdinand Xhaferin “kryetarin” e PD-së, Tritan Shehun etj ishte më rezultativja në elektorat. Kjo sepse elektorati që kishte votuar PD-në në vitin 1992 nuk e konsideronte Sali Berishën si njeriun që duhet të shpërndante “legacy”-në apo “testamentin” e PD-së. Siç dihet Berisha, pas 1997 hapi paksa PD duke lejuar karrierat thjesht që të krijonte një mundësi për të afruar njerëz që kishin ndër mend të aktivizoheshin dhe të mos e shkatërronte PD-në. Por kur erdhi në pushtet në 2005, edhe pse me një mijë mistere e një mijë kompromise, sërish PD-ja “polli” grupime të reja. Ngaqë Berisha, edhe pse me një skemë më të re e të ndryshme, edhe këtë herë ndoqi rrugën e 1992-shit. E nga PD-ja, siç dihet doli partia e Bamir Topit, njeriut që vetë Sali Berisha e bëri nënkryetar e më pas Presidnet për të shkuar drejt qendrës. Pas vitit 2013, edhe pse Sali Berisha me zgjedhjen e Lulzim Bashës, mbajti kontrollin sërish korentet që u formësuan, në dy periudha pra në 2017 e 2019, ishin thjesht si kundërreaksion i vetë lidershipit të PD-së. Kjo parti, ka prodhuar më shumë forca politike dhe korrente, pasi vetë që në fillim ka dashur të bashkojë të gjithë, e kur i ka ardhur radha të qeverisë, nuk ka ndjekë konsensusin apo përfaqësimin e korrenteve, por ka drejtuar si klan.

Ndaj edhe Jozefina Topalli e Astrit Patozi dolën si grupime politike në vete, atëherë kur e panë që nuk i ndjek, nuk i dëgjon, nuk i mbështet askush në partinë e tyre. E kjo është normale në një sistem si ky i yni, ku kushdo hynë e del nga puna kur të dojë. Po me të njëjtën logjikë edhe Myslym Murrizi apo Rudina Hajdari. Askush nuk merr “frymë nga gurmazi” i Lulzim Bashës apo Sali Berishës. Në fakt kjo e mësipërmja është një frazë e thënë nga një eksponent socialist, Bashkim Zenelit, në vitin 1995, kur kishte përplasje me Sërvet Pëllumbin, atëherë nënkryetar i PS-së dhe realisht lider pasi fatos nano ishte në burg. Një vit më pas, Nano, pikërisht për të ndalur një shizmë tronditi partinë me mociionin dhe përmbysi lidershipin, duke dhënë një mundësi karriere të re, ku hynë Meidani, islami, Majko etj, por gjithsesi lëvizi diçka. Pjesa e pakënaqur që ishin Pëllumbi, Meta, Hajdaraga, Dokle, etj, nuk kishin si formonin në atë moment një parti, pasi PS po shkonte drejt pushtetit.

Në pushtet 1997-2001, PS ndoqi një politikë shpërndarjeje karrierash, ku për mandatin e parë pati 3 kryeministra dhe aq kabinete: Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe në mandatin e dytë po 3 të tilla: Meta, Majko, Nano dhe aq kabinete gjithashtu. Largimi i Metës dhe shizma e LSI-së u krye jo nga një përjashtim de jure apo linçim i Fatos Nanos, por nga përjashtim de facto dhe mënjanim nga strukturat e PS-së. Meta, krijoi partinë e tij një vit para zgjedheve të 2005-s dhe ndikoi fort në rezultatin elektoral të PS-së, çka i shkaktoi humbjen Fatos Nanos dhe më pas gjërat dihen.

Forcat e tjera politike nga PS-ja, nuk e patën të njëjtën rivelancë me Ilir Metën, si PSV e Petro Koçit apo partia e Gjergj Kojës apo edhe Ben Blushit më pas. Sidomos krahasuar me ata që doën nga PD. Pasi ndryshe nga Berisha, Nano apo Rama ndoshta nuk u kakrijuar hapësirë zërave fraksionistë apo ndryshe, por politikisht nuk ka linçuar, nuk është sjellë vrazhdë, siç PD sillet jo thjesht me kundërshtarët politikë, por me të gjithë që i konsideron si të “papërshtatshëm”. Është një mentalitet i cili reflektohet edhe në politikën e Berishës dhe Bashës më pas ndaj kundrshtarëve: je hajdut ose kriminel nëse je kundërshtar, kurse për vete është “qelibar”. Një narcizizëm dhe neronizëm politik që nuk hap dialog, nuk sjell diskutim dhe s’prodhon politikë brenda, por vetë zhizmë politike. Pra çfarë mbjell, edhe korr…