Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë dhe gjatë takimeve me homologë të vendeve pjesëmarrëse, theksoi angazhimin e Shqipërisë dhe prioritet kyçe për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë, modern dhe të qëndrueshëm për qytetarët.
Duke u ndalur tek sfidat globale me të cilat përballen sistemet shëndetësore, ministrja Sala nënvizoi se shëndeti nuk mund të trajtohet i ndarë nga zhvillimi social, ekonomik dhe siguria publike, ndërsa vlerësoi rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në forcimin e sigurisë shëndetësore globale.
“Shqipëria mbështet fuqimisht rolin e OBSH-së si një shtyllë kyçe e arkitekturës globale të shëndetit, veçanërisht në forcimin e sigurisë shëndetësore, avancimin e mbulimit universal dhe mbështetjen e vendeve anëtare me ekspertizë dhe politika të bazuara në të dhëna”, u shpreh ministrja Sala.










