Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi online takimin vjetor të projektit të Mbështetjes Financiare të Agrobiznesit Shqiptar, me pjesëmarrjen e ministres Anila Denaj, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit, Enea Hoti, Drejtorit të BERZH për Ballkanin Perëndimor, Bjellorusinë dhe Ukrainën, Henry Rusell, si dhe drejtuesit të BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli. Sektori i turizmit është një nga më të prekurit për shkak të pandemisë dhe mbështetja financiare është tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen dhe kthimin në trendin rritës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shprehu vlerësimin për rezultatet e arritura nga ky projekt që mbështetet agrobiznesit. Gjatë këtij viti janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme ligjore për ta bërë të mundësuar zbatimin konkret të kësaj marrëveshjeje që në tremujorin e parë të vitit 2021. Gjatë fjalës së saj Denaj kërkoi që të shikohet mundësia e krijimit të një produkti financiar të dedikuar dhe të lidhur me zinxhirin e vlerës në bujqësi në mënyrë që të rritet mundësia e përfshirjes në financim edhe për bizneset mikro dhe të vogla që bashkëpunojnë për të rritur ekonominë e shkallës.
Që prej fillimit të këtij projekti në vitin 2016 janë dhënë 6,072 kredi me një vlerë rreth 60 milionë euro dhe cilësia e këtij portofoli është e larte me vetëm 0.5% kredi të këqija. Ky projekt synon të shërbejë si nxitje për sektorin financiar, për të rritur nivelin e kreditimit në sektorin e bujqësisë, që deri tani është konsideruar me risk të lartë për kreditimin.