1.684.000 individë shqiptarë jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 1.2 milionë prej tyre vlerësohet të jenë emigrantë. Instituti i Statistikave Shqiptare ka publikuar për herë të parë shifrat e diasporës shqiptare në vendet e tjera, ku vërehet se gjatë 8 viteve të fundit, rezultojnë të jenë larguar nga vendi 360 mijë banorë, afro 12.4% e popullsisë që rezulton nga censi i vitit 2011.

Flukset më të mëdha janë drejt Italisë me 120 mijë të larguar, 92 mijë drejt Greqisë dhe 40 mijë drejt Gjermanisë.

Por që prej vitit 2015-ë, është vërejtur një rënie e numrit të emigrantëve shqiptarë në dy shtetet historike: Itali dhe Greqi, dhe ka patur një shtim të fluksit me një normë prej 35% drejt Gjermanisë, e pasuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera europiane. Në 4 vitet e fundit është rritur numri i shqiptarëve në Belgjikë, Francë, Holandë, Austri, Suedi dhe Zvicër.

Shumica e emigrantëve rezultojnë të jenë meshkuj, të dominuar nga moshat e reja: 15 deri në 49 vjeç, të cilët përbëjnë 64% të totalit të emigrantëve shqiptarë. 84% e të larguarve kanë patur si shkak mundësinë e punësimit, 9% bashkimin familjar dhe 3.5% arsimin.