Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera deklaroi sot se Bashkimi Europian qëndron fuqimisht përkrah Shqipërisë në zbatimin e reformave. Në një postim në rrjetet sociale, Calavera theksoi se fokusi mbetet në rrugën e reformave pavarësisht vështirësive si tërmeti apo pandemia e COVID-19.

“E kënaqur që çel hap Komitetin e 11-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes BE dhe Shqipërisë dhe që shikoj kaq pjesëmarrje të mirë nga të dy palët. Ka qenë një kohë e vështirë me tërmetin e vitit të kaluar dhe COVID-19, por fokusi mbetet tek rruga e reformave: BE qëndron fuqimisht përkrah Shqipërisë në zbatimin e tyre!”, shprehet Calavera.

Komiteti i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndihmon Këshillin e Stabilizim Asociimit të mbikëqyrë zbatimin e MSA-së që hyri në fuqi në vitin 2009. Komiteti përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të BE dhe Komisionit Europian, nga njëra anë , dhe të përfaqësuesve të qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër.