Në kohën kur Kosova po përballet me një krizë të thellë të funksionimit institucional dhe me rrezikun real të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Serbia po vazhdon fushatën e saj të intensifikuar lobuese ndërkombëtare, duke e shfrytëzuar këtë situatë për të goditur kredibilitetin dhe kapacitetin e shtetformimit të Kosovës.
Burime të sigurta diplomatike europerëndimore në Shkup, në një prononcim për agjencinë e lajmeve INA, kanë bërë të ditur se Beogradi po përdor bllokadën politike në Prishtinë si argument kryesor në kancelaritë perëndimore për të dëshmuar se “Kosova nuk ka kapacitete për shtet-ndërtim”.
Sipas diplomatit, refuzimi i vazhdueshëm i partive politike për të gjetur një konsensus për formimin e institucioneve, i cili kulmoi edhe me dështimin e marrëveshjes së fundit mes kryeministrit, Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shndërruar në “karburant” për diplomacinë serbe.
“Serbia po lobon agresivisht duke përdorur argumentet nga ajo që po ndodh në Prishtinë. Çdo dështim për të ndërtuar institucionet po interpretohet nga Beogradi si provë se Kosova është një projekt i dështuar. Ata po përpiqen të bindin faktorin ndërkombëtar se nuk ka partner të besueshëm për të vazhduar proceset e rëndësishme,” theksoi diplomati perëndimor për INA.
Ndërsa liderët politikë në Prishtinë vazhdojnë lojën e fajësisë, rreziku i zgjedhjeve të reja mbetet tejet i lartë. Kjo situatë, sipas diplomatit, përveçse po dëmton rrugën euroatlantike të vendit, po krijon një vakuum institucional që po shfrytëzohet për të rrënuar imazhin e shtetit të Kosovës përballë partnerëve strategjikë.(INA)




















