Regjisori Fisnik Maxhuni nga Kosova, por i rritur në Zvicër, ishte i ftuari i radhës në INTERVISTA, i cili rrëfeu jo vetëm vështirësitë me të cilat u përball familja e tij pas mbërritjes në Zvicër, por edhe arritjet dhe sukseset në fushën e kinemasë ku po jetëson identitetin shqiptar.
INTERVISTA është një projekt i përbashkët i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës dhe CreAction, që dëshirojnë të reflektojnë, shkëmbejnë dhe kërkojnë përgjigje për sa i përket synimeve dhe përkatësive që kanë me komunitetin shqiptar, por njëkohësisht edhe kontribuesve të integrimit të tyre në shoqërinë e vendit helvetik.
Maxhuni ishte 5 vjeç kur mbërriti në Zvicër pak para fillimit të luftës, në vitet ’90, ku familja e tij vendosi të largohej nga Kosova.
Kur mbërritëm në Zvicër, dua të them se ishte një vend pritjeje pak a shumë i jashtëzakonshëm. Në termin e shoqërisë, për të fituar të drejtën e qëndrimit në Zvicër, ka qenë një betejë e gjatë. Pra, pas mbërritjes sonë në Zvicër, në 1993 deri në 2007, nuk kishim dokumente në Zvicër. Gjatë tërë këtyre viteve, na është dashur të luftojmë kundër sistemit për të pasur të drejtën për të qëndruar në Zvicër, për të mos na kthyer në Kosovë, rrëfeu 30-vjeçari, i cili do të rikthehej në Kosovë vetëm në vitin 2007. Ai tha se ky ishte një vit i rëndësishëm për të pasi filmi i radhës që realizoi ishte pikërisht në atë periudhë.
Dhe jo pa lidhje, sepse pikërisht pak para shpalljes së pavarësisë, mua m’u mblodhën një sërë gjërash që bënë të mundur të kisha krejt papritur shumë informacion dhe të ndërtoj identitetin tim nga tërë ato. Sepse kur je fëmijë dhe largohesh për një kohë të gjatë nga shtëpia jote, arsyeton duke thënë se nuk je më në vendin tënd dhe mendon se ata njerëz kanë plotësisht të drejtë, u shpreh ai.
Më kujtohet im atë, u shpreh Maxhuni, i cili më thoshte se duhet të marrësh gjithçka të mirë nga cilado kulturë apo identitet.
Duke qenë i rrethuar nga një sistem tërësisht zviceran, si nëpërmjet shkollës, sportit, ashtu edhe nëpërmjet miqësive, kuptova se isha anuar shumë nga zviceranët dhe mendoj se është ajo që kam bërë që më ka motivuar ose më të themi që më ka nxitur të ndjek studimet dhe në vazhdim që të dal jashtë shteti dhe të ndjek shumë gjëra, por kam pasur gjithashtu shansin që të ruaj, nëpërmjet familjes sime, gjërat e mira që i përkasin komunitetit tonë, tha ai.
30-vjeçari nga Kosova është regjisor disa filmave ku tre prej të cilëve janë prezantuar edhe në festivale ndërkombëtare filmash ndërsa emri i tij do të flitej më së shumti në dokumentarin Zvicra që jo vetëm është mirëpritur shumë mirë botërisht, por edhe ka nxitur disa reagime polemike në rrjetet sociale.
Në këtë dokumentar, ai sjell dy këndvështrime nëpërmjet filmave të tij ku në fokus të kishte më shumë shqiptarë që dëshmonin dhe këndvështrimi kundrejt Zvicrës. Kjo iniciativë është ndërmarrë nisur nga ardhjet e fundit në komunitetin shqiptar në Zvicër. Padyshim, kjo ka ndryshuar gjatë viteve të fundit. Në njëfarë mënyre do të mirëkuptohet nga ata që na mbështesin, ashtu sikurse do të përdoret kundër nesh nga ata që kanë folur kundër nesh, tha Maxhuni duke shtuar se ishte një mundësi për të analizuar veten përmes komunitetit tim në një film.
Ai shprehet se përjetimi i luftës me delegim më ka ushqyer shumë për sa i përket imazheve, sepse ishte një periudhë kur i shihnim lajmet së bashku si familje, shihnim se çfarë ndodhte atje dhe në njëfarë mënyre po përjetoja çfarë ndodhte në vendin ku isha lindur, se çfarë i ndodhte familjes sime atje.
Ato imazhe më janë ngulitur thellë brenda vetes dhe jo pa arsye bëj sot edhe profesionin e regjisorit, sepse kam këtë vullnetin për të rikrijuar atë çfarë kam brenda, ato lloj imazhesh. Nga Kosova a gjetkë nuk ka rëndësi. Është vullneti për të rikrijuar ato imazhe. Për t’iu kthyer asaj që the në fillim të pyetjes a je më shumë zviceran apo je më shumë kosovar? unë mendoj se është më shumë si një lloj marrje peng. Kur jam në Kosovë, kam dëshirë të kthehem në Zvicër dhe, kur jam në Zvicër, kam dëshirë të shkoj në Kosovë. Pra, jam pak a shumë i ndarë mes dy grupesh, edhe te njëri, edhe te tjetri dhe kjo nevojë për të zgjedhur është si një lloj të qenurit peng, sepse e shohim pak a shumë kudo, u shpreh ai.
Pikërisht vitin e kaluar unë bëra një dokumentar La fin d’une partie (Fundi i një pjese), një dokumentar që flet për futbollin, për ekipin e Kosovës dhe të Bernës. Pikërisht edhe aty, nëpërmjet futbollit, kemi po të njëjtën temë: “Do të luash për Zvicrën apo për Kosovën, tha regjisori Maxhuni në INTERVISTA.
I pyetur nëse shqiptarët e Zvicrës e ndjejnë më të nevojshme të ruajnë vlerat dhe traditat e tyre, sesa shqiptarët në vendin e tyre që përpiqen gjithnjë e më shumë të europianizohen, Maxhuni tha se është tërësisht normale dhe jam plotësisht dakord me këtë sepse nga çasti që përjetojmë një çrrënjosje si ajo që kemi përjetuar ne që erdhëm në Zvicër, patjetër që kemi këtë dëshirë për t’u rrënjosur sërish në diçka dhe kjo mund të duket, si të them, te një çift me të njëjtën origjinë, duke lindur fëmijë që do të kenë të njëjtin kod gjenetik, por mendoj se është tërësisht normale. / (Përktheu Ergita Vokopola dhe titroi Arbi Fortuzi)