Gennaro Gattuso ka folur rreth sëmundjes më të cilën është duke u përballur. Ish-trajneri i Milanit është parë me syrin e djathtë thuajse të mbyllur gjatë prononcimit pas barazimit me Torinon.

Gattuso për “Sky Sports” ka thënë se ka 10 vite që po vuan nga sëmundja “Miastenia Okulare”, derisa ka shtuar se nuk ka qenë vetvetja në 12 vjetët e fundit.”Nuk kam qenë vetvetja për 12 vjet. Dua t’u apel të gjithëve, sidomos fëmijëve që kur shohin veten në pasqyrë e kuptojnë që diçka nuk shkon mirë: ‘Jeta është e bukur! Përqafojeni atë!’ Prej 10 vitesh po vuaj nga Miastenia, kjo është hera e tretë që po më ndodh me syrin tim, por gjithçka do t’i kthehet normalitetit.

Kjo sëmundje të bën të ndihesh vërtet i lodhur duke të detyruar t’i shikosh gjërat dyfish. Vetëm një i çmendur si puna ime mund të vazhdojë të rezistojë. Megjithatë, kjo është jeta, sepse ka dhe gjëra më të këqija. Ka patur thashetheme se më ka mbetur dhe një muaj të jetojë, por qetësohuni, nuk jam duke vdekur. Kur të vdes, dua të jem aty ku kam jetuar gjithë jetën, në fushë”, deklaroi Gattuso. Napoli i drejtuar nga tekniku italian ndodhet në pozitën e pestë me 25 pikë të grumbulluara në 13 ballafaqime.