Prodhimi i vaksinave antiCovid ka rikthyer shpresën te njerëzit ndërsa qeveritë kanë nisur përgatitjet për fushatat e vaksinimit. Edhe Shqipëria, si pjesë e Covax, ka paguar kaparin e saj për të siguruar fillimisht 1,4 milionë doza. Por kur do të mbërrijë vaksina në Shqipëri dhe cilët do të vaksinohen të parët? Për të folur rreth kësaj teme, emisioni ‘Java në RTSH’ kishte të ftuar zv.ministrin e Shëndetësisë, Albert Nikolla.
Politikat që ka ndjekur qeveria shqiptar edhe posaçërisht Ministria e Shëndetësisë ka qenë kjo: Lidhje dhe kontakt direkt me OBSH sa i përket vaksinës. Ne jemi pjesë e ndërmarrjes së madhe COVAX dhe presim të sigurojmë 1,4 milionë vaksina, që në fakt janë gjysma. Kjo sepse presupozohet që një pjesë e vaksinave janë me dy doza. Shqipëria ka paguar një kapar për vaksinat dhe kjo faze do të shërbejë për vaksinimin e të paktën 20% të popullsisë. Ndërsa Komiteti Teknik e ndjek ditë pas dite ecurinë e vaksinave – tha Nikolla në studio.
I pyetur se cilat grupmosha do të kenë prioritet për t’u vaksinuar në fillimi, zv.ministri i Shëndetësisë tha se ‘vaksinën do ta përfitojnë fillimisht ata që janë në vijën e parë të sulmit’. Stafet mjekësore, Policia, punonjësit e shërbimeve sociale, të sëmurët, të moshuarit. Pra personat më të riskuar do të vaksinohen të parët. Sa i përket një date se kur mund të nisë vaksinimi, vetëm Britania e Madhe e kanë aktualisht një të tillë. Sepse në Britani agjencia e barnave ka dhënë leje për ta përdorur vaksinën. Ndërkohe as SHBA dhe as Europa nuk e ka dhënë ende lejen. Por ne do ta marrim vaksinën kur të nisë të kryhet masivisht në të gjithë Europën -tha zv.ministri Nikolla në emisionin Java në RTSH.