Skenarët e mësimit të alternuar si masë parandaluese kundër përhapjes së COVID-19, tashmë kanë nisur të funksionojnë nëpër shkollat e vendit.
Ministria e Arsimit ka hartuar disa variante të zbatimit të kësaj mase, duke ia lënë vendimmarrjen shkollave se cilin skenar të mësimit do të zbatojnë në varësi të numrit të nxënësve dhe hapësirës në shkolla.
Kështu, disa shkolla kanë zgjedhur të vazhdojnë mësimin fizikisht në klasa, si një mënyrë edhe për të mbushur jetën sociale të fëmijëve që sikundër të rriturit, janë duke vuajtur pasojat emocionale të pandemisë, edhe pse janë në fashën më të mbrojtur nga pikëpamja shëndetësore.
ATSH ishte pranë shkollës “Konferenca e Pezës” në kryeqytet ku bisedoi me drejtorin e kësaj shkolle, Petraq Tili për të mësuar sesi funksionon mësimi dhe si është zgjedhur të vijojë procesi.
Në këtë shkollë zbatohet skenari i mësimit të alternuar, fizikisht në klasë dhe online. ““Skenari 2/1 dhe 2/A i cili normalisht në bazë të Ministrisë së Arsimit po zbatohet në shkolla, po zbatohet edhe në shkollën ‘Konferenca e Pezës’. Për mendimin tim ky skenar ka një sërë avantazhesh sepse alternohet mësimi fizik në klasë edhe mësimi online”, u shpreh Tili.
Sipas tij, një nga avantazhet është se evitohen grumbullimet e mëdha të nxënësve ndërkohë që mësimi kryhet normalisht, një pjesë e marrin online dhe një pjesë ndodhen fizikisht në klasa.
Por si funksionon mësimi i alternuar në këtë shkollë?
“Po kombinohen të dyja variantet, edhe online edhe varianti fizik në klasë. Kjo mund të duket një formë shumë rentabël dhe është shumë e mirë për kushtet aktuale në të cilat ndodhet vendi në kushtet e pandemisë e agresivitetit të COVID-19. Më duket një skenar i mirë dhe i menduar mjaft mirë nga strategjia e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Tili.
Drejtori shpjegon se “javën e parë, pra javën teke vijnë nxënësit e klasave të 6-a dhe të 9-a. Ky grup i bën të gjitha mësimet në klasë. Grupi i dytë punon online pra nuk vijnë të punojnë në shkollë por online dhe bëjnë të njëjtat mësime. Ndërsa javën tjetër ata ndërrohen, dmth grupi i dytë kalon në klasë dhe grupi tjetër online. Të njëjtat dije transmetohen si në klasë po ashtu edhe online”.
Mësuesit janë të përgatitur për ta përballuar mësimin online, pasi kanë marrë trajnime me specialistë IT-je.
ATSH bisedoi edhe me mësuesen e biokimisë Fatbardha Dobi e cila në tregoi se sa efikas ka qenë trajnimi që mësuesit kanë marre dhe se sa të përgatitur janë ata për këtë alternativë mësimdhënieje.
“Si mësuese prej 31 vjetësh, kam 12 vjet punë në këtë shkollë, mendoj se kjo është mënyra më e mirë e mësimdhënies në kushtet e vështira në të cilat ndodhemi. Punuam në shtator me të dyja turnet. Unë si mësuese biologji-kimi jam munduar që edhe pse jemi online dhe me orë të shkurtuara të përdorim të gjithë arsenalin e mjeteve mësimore. Unë mësimin online e kam përdorur edhe më përpara”, u shpreh Dobi.
Edhe nxënësit duket se janë mësuar po aq sa mësuesit e tyre me procesin e mësimit gjatë muajve të pandemisë.
“Unë jam Elina Xhemollari dhe jam 13 vjeç në klasën e 8/A. Ne kemi filluar të përshtatemi sepse më përpara kemi punuar me programe të tjera dhe kjo na ka ndihmuar shumë për videot e eksperimenteve dhe jemi kënaqur shumë. Tani ne kemi filluar që të përshtatemi dhe punojmë me disa turne. Grupi i dytë që jemi ne, do të bëjmë mësim të mërkurë, të enjte të premte, por dhe të hënën bashkë me të martën. Ndërsa grupi tjetër do t’i zëvendësojë mësimet. Një nga aplikacionet është Akademia.al ku ne jemi regjistruar për shumë lëndë”, tha nxënësja.
“Unë jam Davina Petriti, jam 14 vjeçe dhe jam në klasën e 8/A. Mësimi online paraqitet me një aplikacion që quhet Akademi.al dhe unë mendoj se është më i përshtatshëm për këtë punë. Mësueset na dërgojnë gjithmonë detyra aty që ne të zhvillojmë mësimin”, tregon nxënësja tjetër.
Ndërsa Denis Luka shprehet “në platformën Akademi.al marrim detyrat me video dhe foto që na nisin mësueset sepse është mënyra më e mirë për të evituar Covid-in”.