Luis Suarez u transferua te Atletico Madridit, por procedurat e nisura për të marrë nënshtetësinë italiane, vijojnë të shqetësojnë Juventusin, pasi drejtori sportiv i bvardhezinjve Fabio Paratici është zyrtarisht nën hetim nga ana e prokurorisë së Perugias. Fillimisht ishte Guardia di Finanzia që konstatoi se provimi i uruguaianit për mbrojtjen e gjuhës italiane në Universitetin për të Huajt në Perugia ishte parapërgatitur në mënyrë që Suarez ta kalonte me sukses, ndonëse dinte vetëm pak fjalë. Prej kohësh hetimi është marrë në dorë nga Prokuroria e Perugias, e cila ka zbardhur tabulatet dhe ka gjetur mes tyre një telefonatë të Paraticit me Ministren e Transporteve në Itali, Paola de Micheli.

Kjo e fundit është edhe mikeshë fëmijërie e Paraticit, ndaj drejtuesi i Juventusit i kërkoi përshpejtim të procedurave të dhënies së shtetësisë italiane për Suarez, ndërsa nën hetim janë edhe përfaqësuesit ligjorë të bardhezinjve Luigi Chiappero dhe Maria Turco.

Vetë klubi i Juventusit reagoi pasditen e sotme me një deklaratë zyrtare, ku pranoi se zyrtarët e tij janë nën hetim nga Prokuroria e Perugias, por theksoi se ata kanë vepruar vetëm në bazë të ligjit dhe shprehën bindjen se do të dalin të pastër nga kjo histori. Sipas ligjit federal të vitit 2001, në raste të tilla klubet rrezikojnë nga një gjobë deri në përjashtim nga kampionati apo rënie nga kategoria, por opsionet e fundit duket se nuk janë për rastin e Juventusit, pasi bardhezinjtë ndryshuan strategji në merkato dhe në fund Suarez përfundoi te Atletico Madrid.