Merkatoja e dimrit do të hapet së shpejti. Me fillimin e vitit të ri, Tiago Pinto (i cili po përfundon karantinën, pasi kishte rezultuar pozitiv me Covid-19), menaxheri i përgjithshëm i verdhekuqve, do të kujdeset për të. Roma ende ka dy fronte të hapura, në të cilat po punon prej muajsh: Milik dhe Hysaj, dy lojtarët e Napolit, që nuk kanë pranuar rinovimin e propozuar të kontratës dhe do të lirohen në qershor. Kështu bën sot me dije “Corriere dello Sport”.

Sipas saj, polaku po bën presion për të gjetur një zgjidhje në janar, të shkojë diku tjetër dhe luajë, ngaqë ekziston rreziku që të humbasë ekipin kombëtar në funksion të Kampionatit Europian, nëse vazhdon të ngrohë stolin. Ka pasur disa kontakte në Angli, por nuk do të jetë e lehtë të gjejë një zgjidhje, që i përshtatet De Laurentiis. Roma e pret atë në fund të kontratës. Me Dzeko, që po i afrohet moshës 35 vjeç, polaku përfaqëson një alternativë të favorshme.

E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarin Hysaj, me të cilin tashmë ishte arritur një marrëveshje. Konkretisht, kishte dakordësi me agjentin e mbrojtësit të djathtë për qershorin, kur do të lirohet. Ai është elementi i duhur për këtë rol, që Roma ka ndjekur për disa sezone. Mosha, vetëm 26 vjeç, ia rrit valencat për kryeqytetasit. Mes shqiptarit dhe Napolit nuk duket se ka ndonjë mundësi për rinovimin e kontratës, e cila skadon në fund të sezonit. Kontaktet mes tyre janë ndërprerë. Kërkesat ekonomike të shqiptarit u konsideruan shumë të larta nga Napoli.

Lamtumira si transferim falas në fund të sezonit është gjithnjë e më e mundshme, ndërsa opsioni i Romës mbetet më i vlerësuari nga lojtari. Agjenti i tij Mario Giuffredi, i cili tashmë ka Jordan Veretout në ekipin verdhekuq, ka komunikuar shpesh me menaxherët e Romës mbi mbrojtësin e djathtë. Nëse Hysaj shkon te verdhekuqtë, atëherë do të bëheshin dy shqiptarë kuqezinj aty, bashkë me shkodranin tjetër, Marash Kumbulla. Një rivalitet i hapur me shqiptarët në llogoren tjetër të kryeqytetasve, te Lazio; ku bëjnë pjesë Tare, Strakosha, Muriqi. (Telesport.al)